Pas Konferencës Ndërkombëtare të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, Tirana mirëpret sot Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes të Bashkimit Europian.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një mesazh për takimin e nivelit të lartë, i cili zhvillohet nën moton “Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku”, me pjesëmarrjen e liderëve të rajonit dhe Komisioneres Europiane për Zgjerimin, Marta Kos.

“Dhe me një tjetër ditë mikpritjeje, si samiti i ‘Growth Plan’, me temë ‘Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku’, tryeza mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneres për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Në fokus të samitit do të jenë përshpejtimi i reformave, zhvillimi ekonomik, bashkëpunimi rajonal dhe avancimi i procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

Takimi vjen pas Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel dhe konferencës dyditore të investimeve në Tiranë, ku u diskutua mbi mundësitë e reja për investitorët europianë dhe integrimin e ekonomive të rajonit në tregun e përbashkët europian.

Një ditë më parë, kryeministri Rama njoftoi se Shqipëria do të përfitojë mbështetje shtesë financiare nga Plani i Rritjes, si rezultat, sipas tij, i përmbushjes së angazhimeve dhe reformave.

Samiti i sotëm pritet të adresojë ecurinë e zbatimit të këtij plani dhe hapat e mëtejshëm drejt integrimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor në BE.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu