
Dy ditë para protestës së paralajmëruar për 28 nëntorin, Gjykata Kushtetuese pezulloi gjobën prej 5 mijë lekësh për protestuesit që bllokojnë rrugët. Ndërkohë, mësohet se policia do të vijojë të vendosë gjoba për bllokimin e rrugëve, këtë herë duke iu referuar Kodit Rrugor. Gjoba që parashikonte akti normativ ishte 5 mijë lekë. Sipas informacionit që ka siguruar, policia pritet të zbatojë nenin 20 të Kodit Rrugor. Ky nen parashikon gjobë nga 25 mijë deri në 100 mijë lekë për këdo që zë rrugën pa lejen përkatëse ose shkel kushtet e lejes. Nëse policia e zbaton këtë dispozitë gjatë protestës, edhe gjoba minimale do të jetë pesë herë më e lartë se ajo që pezulloi Kushtetuesja. Vendimi i 26 nëntorit prek vetëm një pikë të aktit që qeveria miratoi më 28 tetor për të ndryshuar ligjin për tubimet. Sipas Gjykatës, mënyra si është shkruar dispozita lë paqartësi në zbatim dhe rrezikon të cenojë lirinë e tubimit. Pezullimi vlen deri në vendimin përfundimtar. Masat e tjera mbeten në fuqi. Këshillat bashkiakë mund të caktojnë zona të mbrojtura dhe vazhdojnë të zbatohen sanksionet për shkeljet e tjera administrative. Mbeten në fuqi edhe gjobat e rritura për kundërvajtjet penale, për të cilat nuk u kërkua pezullim. Organizatat dhe grupimet studentore që iu drejtuan Kushtetueses kërkojnë shfuqizimin e të gjithë aktit. Gjykata vendosi ta shqyrtojë me përparësi këtë kërkesë.






