Një ngjarje e rëndë ka tronditur Francën, ku policia ka gjetur trupat e pesë foshnjave në banesën e një çifti në qytetin Orange, në jug të vendit.

Sipas mediave franceze, zbulimi u bë pasi gruaja, e lindur në vitin 1994, solli në jetë një fëmijë të shëndetshëm në spital. Personeli mjekësor dyshoi për rrethana të pazakonta dhe njoftoi autoritetet.

Policia shkoi në banesën e çiftit, ku zbuloi trupat e pajetë të foshnjave të fshehur në kuti kartoni. Gjatë kontrollit, hetuesit gjetën edhe mbetje të tjera biologjike të ruajtura në qese plastike.

Çifti ka edhe dy fëmijë të tjerë, të moshës 8 dhe 12 vjeç. Deri më tani, Prokuroria e Carpentras nuk ka dhënë detaje të mëtejshme për rrethanat e ngjarjes, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

Rasti rikthen në vëmendje një tjetër ngjarje të rëndë në të njëjtën zonë, ku vetëm pak muaj më parë një grua u dënua me 25 vite burg pasi trupat e dy foshnjave u gjetën në frigoriferin e banesës së saj.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu