
Mijëra izraelitë kanë mbushur qendrën e Tel Avivit në një protestë masive kundër kryeministrit Benjamin Netanyahu, vetëm tri ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të 27 tetorit. Me thirrjet “Ndryshim, tani!” dhe flamujt izraelitë në duar, demonstruesit kanë kërkuar një drejtim të ri politik për vendin.
Tubimi u zhvillua mbrëmjen e së shtunës, më 24 tetor, në Sheshin e Pengjeve, një nga vendet simbolike të protestave kundër qeverisë izraelite gjatë tre viteve të fundit.
Në protestë morën pjesë edhe drejtuesit kryesorë të opozitës, duke e kthyer grumbullimin në një nga mobilizimet më të rëndësishme politike në prag të votimit.
Sipas gazetës italiane La Repubblica, qytetarët dolën në rrugë me fotografitë e personave të vrarë ose të marrë peng gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ndërsa thirrjet për ndryshim dhe demokraci u dëgjuan vazhdimisht në shesh.
Por kërkesa qendrore e protestuesve nuk ishte vetëm ndryshimi i qeverisë. Familjarët e viktimave dhe të pengjeve kërkuan ngritjen e një komisioni shtetëror të pavarur për të hetuar dështimet e sigurisë që i paraprinë sulmit të 7 tetorit.
Demonstrata u organizua nga Këshilli i Tetorit, një grupim i krijuar nga familjarët e viktimave, pengjeve dhe të mbijetuarve të sulmit.
Qeveria Netanyahu ka kundërshtuar krijimin e një komisioni të pavarur hetimor të emëruar sipas procedurës tradicionale, duke argumentuar se përbërja e tij mund të jetë e njëanshme. Në vend të tij, kryeministri ka mbështetur një mekanizëm hetimor me përfshirjen e përfaqësuesve të shumicës dhe opozitës.
Në shesh ishin të pranishëm figura të njohura politike, mes tyre Gadi Eisenkot, një nga rivalët kryesorë të Netanyahut, ish-kryeministri Naftali Bennett, Yair Lapid, Avigdor Liberman dhe Yair Golan.
Pjesëmarrja e tyre tregoi rëndësinë që opozita i jep protestës, në përpjekje për ta shndërruar pakënaqësinë qytetare në një ndryshim politik përmes zgjedhjeve.
Për shumë prej demonstruesve, votimi i 27 tetorit është një mundësi për të kërkuar përgjegjësi politike për ngjarjet e viteve të fundit, përfshirë sulmin e Hamasit, luftën në Gaza dhe debatet mbi institucionet demokratike.
Protestat në Tel Aviv kanë qenë të vazhdueshme që prej vitit 2023. Fillimisht, një pjesë e mobilizimit u përqendrua te kërkesa për kthimin e pengjeve nga Gaza, ndërsa më pas u shtuan thirrjet për hetimin e përgjegjësive shtetërore.
Zgjedhjet parlamentare në Izrael do të zhvillohen të martën, më 27 tetor. Votuesit do të përcaktojnë përbërjen e re të Knessetit, parlamentit me 120 vende, nga i cili do të varet formimi i qeverisë së ardhshme.
Tri ditë përpara hapjes së kutive të votimit, mesazhi i demonstruesve në Tel Aviv ishte i qartë: kërkesë për ndryshim politik dhe për një hetim të pavarur mbi dështimet e 7 tetorit.






