
Një ngjarje tragjike ka ndodhur mesditën e kësaj të premteje në plazhin e Tales në Lezhë, ku dy vajza të mitura, të moshave 9 dhe 11 vjeç, kanë humbur jetën pasi dyshohet se janë mbytur në det.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja është regjistruar rreth orës 12:50, ndërsa të miturat po laheshin në ujë. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Kufitare dhe efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.
Falë bashkëpunimit me pushuesit e pranishëm në zonë, është bërë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupave të pajetë në breg, por pa mundur t’u shpëtohet jeta.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.






