Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të diel në Lezhë, ku një taksist 50-vjeçar është plagosur me thikë në bark. Autori i dyshuar është një 65-vjeçar, i cili është larguar nga vendngjarja dhe është shpallur në kërkim nga policia.

Sipas informacionit paraprak të Policisë së Lezhës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:08, në rrethrrotullimin e Shëngjinit.

I plagosuri është shtetasi A. M., 50 vjeç, banues në Lezhë, me profesion taksist, i cili ka njoftuar policinë se ishte goditur me mjet prerës në bark nga shtetasi N. N., 65 vjeç.

Menjëherë pas ngjarjes, 50-vjeçari është transportuar në spital, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas policisë, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, autori i dyshuar është shpallur në kërkim. Policia bën të ditur se 65-vjeçari dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Ende nuk dihen shkaqet që çuan në plagosjen e taksistit.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes, si dhe për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu