
Në një deklaratë pas përplasjeve të dhunshme të 18 tetorit në Tiranë, Berisha tha se Rama kishte synuar ta zhvendoste protestën nga Kryeministria drejt selive të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
“Sot përhap nëpërmjet rrjetit të tij brenda në protestë lajmin se Kryeministrinë nuk e marrin dot dhe duhet të sulmohen dy selitë e partive të mëdha”, deklaroi Berisha.
Berisha: Rama futi njerëz të armatosur në selinë e PS-së
Kryedemokrati pretendoi se në selinë e Partisë Socialiste ishin futur persona të armatosur, të pajisur me shkopinj dhe mjete të tjera.
“Për këtë qëllim ai mori dhe futi në selinë e partisë së tij 3 inspektoriate, banditë nga kartelet e drogës, të armatosur, të pajisur me hunj dhe mjete të tjera. I dështoi”, tha Berisha.
Sipas tij, personat që synonin të orientonin turmën drejt selive politike nuk arritën të bindnin pjesëmarrësit në protestë.
“Puthadorët e Ramës në këtë lëvizje nuk i ndoqi njeri. Jo, i thanë, nuk kemi asnjë punë, ata janë në protestë me ne dhe ne nuk vijmë”, u shpreh ai.
Berisha pretendoi se një përpjekje e dytë ishte planifikuar për të nxitur sulmin ndaj selisë së PD-së, në intervalin nga ora 20:30 deri në 21:30.
Edhe kjo përpjekje, sipas tij, dështoi pasi shumica e protestuesve nuk pranuan të manipuloheshin.
“Policia sulmoi selinë e PD-së për hakmarrje”
Pas dështimit të skenarit të pretenduar, Berisha akuzoi policinë se ndërhyri ndaj selisë së opozitës duke përdorur sasi të mëdha gazi lotsjellës.
“Policia në mënyrën më hakmarrëse, më të turpshme, më kriminale, dhunon territorin e partisë opozitare, Partisë Demokratike, në shkelje të rëndë të ligjeve dhe Kushtetutës”, deklaroi ai.
Sipas Berishës, ndërhyrja nuk kishte asnjë shkak të ligjshëm.
“Jo vetëm që hedhin sasi të stërmëdha bombulash gazi pa pasur absolutisht asnjë lloj motivi, vetëm reprezalje ndaj Partisë Demokratike për dështimin e skenarit të tyre”, tha kreu i PD-së.
Ai paralajmëroi kryeministrin se demokratët janë më të mobilizuar se kurrë.
Policia pretendon se në selinë e PD-së kishte persona të maskuar dhe të armatosur
Gjatë komunikimit me gazetarët, Berisha u pyet edhe për pretendimin e policisë se në selinë e Partisë Demokratike ishin strehuar persona të maskuar dhe të armatosur, çka sipas këtij pretendimi kishte sjellë përdorimin e gazit lotsjellës.
Kreu i opozitës u përgjigj duke theksuar se çdo i mitur që sulmohet ka të drejtë të kërkojë mbrojtje në selinë e PD-së.
“Çdo i mitur që sulmohet është i mirëpritur dhe do mbrohet në përputhje me ligjet nga Partia Demokratike. Mbrojtja e të miturit është detyrë themelore e çdo të rrituri”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se personat që sulmojnë të miturit shkelin ligjet dhe Kushtetutën.
Berisha paralajmëroi gjithashtu se PD po monitoron personat që ai i cilëson si të infiltruar nga kryeministri në protestë.






