Irani ka reaguar ashpër ndaj sulmeve të reja amerikane në jug të vendit, duke i cilësuar ato si një “shkelje brutale” të armëpushimit të brishtë që është në fuqi prej muajit prill.

Ministria e Jashtme iraniane deklaroi se SHBA mban përgjegjësi të plotë për pasojat e “veprimeve agresive dhe të pajustifikuara” në rajonin Hormozgan, pranë Ngushticës strategjike të Hormuzit.

“Republika Islamike e Iranit nuk do të lërë pa përgjigje asnjë akt të së keqes dhe nuk do të hezitojë të mbrojë kombin iranian”, thuhet në deklaratën zyrtare të Teheranit.

Sulmet u konfirmuan nga Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM), e cila deklaroi se objektiv ishin baza raketore iraniane dhe mjete detare që po përpiqeshin të vendosnin mina në zonë.

Sipas autoriteteve amerikane, operacioni u krye “në vetëmbrojtje” për të mbrojtur trupat amerikane nga kërcënimet iraniane.

Mediat amerikane raportojnë se goditjet kanë ndodhur pranë Bandar Abbas, qyteti portual ku ndodhet një bazë e rëndësishme detare iraniane në Ngushticën e Hormuzit.

Ndërkohë, Garda Revolucionare Islamike (IRGC) pretendon se ka rrëzuar një dron amerikan dhe ka qëlluar ndaj një avioni luftarak që kishte hyrë në hapësirën ajrore iraniane.

Përplasja e fundit vjen në një moment delikat për negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit, që synojnë zgjatjen e armëpushimit dhe arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë për programin bërthamor iranian.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se marrëveshja mbetet ende e mundur, por paralajmëroi se negociatat do të kërkojnë “edhe disa ditë”.

Sipas mediave amerikane, drafti i diskutuar përfshin zgjatjen e armëpushimit për 60 ditë, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe negociata të mëtejshme për uraniumin e pasuruar iranian.

Një nga pengesat kryesore në bisedime mbetet kërkesa e Iranit për zhbllokimin e fondeve iraniane të ngrira jashtë vendit.

Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës botërore, mbetet një nga pikat më të tensionuara të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu