
Tirana po përballet me nivele alarmante të ndotjes së ajrit, të dokumentuara tashmë edhe nga vetë Bashkia e kryeqytetit. Në “Planin e Veprimit për Menaxhimin e Cilësisë së Ajrit 2026-2040”, i hartuar nga Qendra e Monitorimit të Mjedisit, evidentohen përqendrime të larta të grimcave të imëta, gazrave toksikë dhe substancave kancerogjene, kryesisht në zonat me trafik të rënduar siëas Faktoje.al
Sipas dokumentit, zona më problematike rezulton “21 Dhjetori”, ku gjatë tetor-nëntorit 2025 niveli i grimcave PM10 arriti në 102.8 mikrogramë për metër kub, më shumë se dy herë mbi kufirin e Bashkimit Europian. Po në këtë zonë, grimcat PM2.5, të konsideruara ndër më të rrezikshmet për shëndetin, u matën në 70.7 mikrogramë për metër kub, gati trefishi i normës europiane.
Nivele të larta ndotjeje janë regjistruar edhe në Rrugën e Kavajës, Zogun e Zi dhe kryqëzimin e rrugës së Dibrës me atë “Bardhyl”. Në kontrast të fortë, zonat periferike si Petrela dhe Baldushku paraqesin vlera shumë herë më të ulëta.
Shqetësuese janë edhe të dhënat për dioksidin e azotit (NO₂), i lidhur drejtpërdrejt me emetimet e automjeteve. Në “21 Dhjetori” niveli i tij arriti në 257.4 mikrogramë për metër kub, ndërsa në Zogun e Zi në 217 mikrogramë, shumëfish mbi kufirin e lejuar nga BE-ja.
Dokumenti evidenton gjithashtu përqendrime të larta të benzenit, substancë e klasifikuar si kancerogjene. Në “21 Dhjetori” u regjistruan deri në 42.8 mikrogramë për metër kub, mbi tetë herë më shumë se kufiri europian.
Mjekët paralajmërojnë se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj këtyre ndotësve rrit rrezikun për astmë, bronkit kronik, sëmundje pulmonare obstruktive kronike dhe kancer të mushkërive. Sipas të dhënave të përfshira në plan, në Tiranë regjistrohen mesatarisht mbi 100 vdekje në vit nga sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes.
Ekspertët e mjedisit dhe urbanistikës e lidhin situatën kryesisht me trafikun e rënduar, ndërtimet intensive dhe modelin e zhvillimit urban të viteve të fundit, që ka rritur ndjeshëm flukset e automjeteve në qytet.
Për të përmirësuar cilësinë e ajrit, Bashkia e Tiranës parashikon krijimin e zonave me emisione të ulëta, elektrifikimin e transportit publik, kufizimin e automjeteve më ndotëse, zgjerimin e rrjetit të biçikletave dhe shtimin e hapësirave të gjelbra. Kostoja totale e planit deri në vitin 2040 llogaritet në rreth 71.6 miliardë lekë.






