Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi që synon t’i japë fund luftës brenda 60 ditësh. Sipas Shtëpisë së Bardhë, marrëveshja është firmosur në mënyrë digjitale dhe tashmë ka hyrë në fuqi.

Dokumenti parashikon që Uashingtoni dhe Teherani të arrijnë brenda dy muajsh një marrëveshje afatgjatë për përfundimin e konfliktit, rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi programin bërthamor iranian.

Në marrëveshje parashikohet ndalimi i menjëhershëm i luftimeve në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, si dhe angazhimi i palëve për të respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.

SHBA merr përsipër heqjen e bllokadës detare ndaj Iranit dhe rikthimin e trafikut detar në nivelet para luftës brenda 30 ditësh. Po ashtu, Irani duhet të garantojë lëvizjen e anijeve tregtare nga Gjiri Persik drejt Detit të Omanit, duke përfshirë edhe neutralizimin e minave.

Një nga pikat më të debatueshme është plani për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Iranit, me financim të paktën 300 miliardë dollarë nga SHBA dhe partnerët rajonalë. Marrëveshja parashikon edhe heqjen graduale të sanksioneve amerikane dhe ndërkombëtare ndaj Teheranit.

Irani ripërsërit se nuk do të prodhojë armë bërthamore, ndërsa çështjet që lidhen me materialin e pasuruar dhe programin bërthamor do të trajtohen në marrëveshjen përfundimtare.

Trump e mbrojti marrëveshjen duke thënë se ajo shmang një “katastrofë ekonomike”, por paralajmëroi se SHBA do të rifillojë sulmet nëse Irani nuk respekton kushtet.

“Do t’i bombardojmë sërish nëse shkelin marrëveshjen. Nuk dua ta bëjnë, dua ta respektojnë”, deklaroi presidenti amerikan.

Mediat iraniane e kanë paraqitur marrëveshjen si fitore për Teheranin, ndërsa kritikët në SHBA e cilësojnë si një paketë lëshimesh të mëdha ndaj Republikës Islamike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu