Qytetarët do të mund të krahasojnë online dhe në kohë reale çmimet e produkteve ushqimore që tregtohen në Shqipëri, përpara se të vendosin se ku do të blejnë.

Nisma e re e qeverisë, e quajtur “Price Watch Albania”, u prezantua nga ministrja e Ekonomisë pas mbledhjes së kabinetit në Pogradec.

Platforma synon të krijojë transparencë mbi çmimet dhe të evidentojë diferencat mes pikave të shitjes. Nëpërmjet saj pritet të ndërtohet një zinxhir monitorimi që nis nga importimi ose prodhimi i mallit dhe përfundon te çmimi që paguan konsumatori.

Sipas qeverisë, sistemi do t’ua bëjë më të lehtë institucioneve identifikimin e abuzimeve të mundshme, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin alternativën më ekonomike.

“Price Watch Albania” do të përfshihet në platformën më të gjerë “Pasqyrë Albania”, e cila është paralajmëruar si një mekanizëm për informimin dhe adresimin e problematikave të qytetarëve.

Ende nuk janë bërë publike data e aktivizimit, mënyra e përditësimit të çmimeve dhe subjektet që do të përfshihen fillimisht.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu