Hetimet pas arrestimit të Ergys Agasit janë zhvendosur nga Durrësi në Tiranë. Forcat e Policisë kanë kontrolluar banesën e Uljan Shpatarakut në zonën e Liqenit të Thatë, vetëm pak kohë pasi ish-efektivi u kap në të njëjtin automjet me Agasin.

Kontrolli është zhvilluar me urdhër të organeve të drejtësisë, në kuadër të veprimeve hetimore që lidhen me procedimin e SPAK-ut.

Sipas raportimeve, hetuesit kanë këqyrur ambientet e banesës, dokumentet, pajisjet elektronike dhe sende të tjera që mund të kenë rëndësi për hetimin. Ende nuk është bërë e ditur nëse gjatë kontrollit janë sekuestruar materiale.

Shpataraku u arrestua në flagrancë në zonën e Plepave, në hyrjen jugore të Durrësit. Ai udhëtonte me Ergys Agasin, i cili ishte shpallur në kërkim dhe ndaj të cilit ishte caktuar masa “arrest në burg”.

SPAK njoftoi se ish-punonjësi i Policisë dyshohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Hetimet për të përcaktuar rolin dhe lidhjet mes personave të arrestuar vijojnë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu