
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka kundërshtuar vlerësimet se Shqipëria dhe Mali i Zi janë përpara vendit të tij në zbatimin e reformave dhe po përparojnë më shpejt drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në një deklaratë për mediat në Shkup, përpara nisjes drejt Brukselit për Samitin BE–Ballkani Perëndimor, Mickoski përdori një metaforë për të përshkruar rrugëtimin europian të dy vendeve.
“Nuk do të pajtohesha me vlerësimin se po ecin më shpejt. Nuk mendoj se është kështu. Do t’i rikthehem deklaratës sime për autobusin që lëkundet. Kështu duket rruga e tyre në këtë moment. Ndërsa ne po zbatojmë reforma, ne jemi vërtet në krye kur bëhet fjalë për agjendën e reformave”, deklaroi Mickoski.
Kryeministri maqedonas tha se pret që samiti të konfirmojë se Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës dhe se integrimi i rajonit do të bëhet shumë shpejt realitet.
Ai njoftoi gjithashtu se në Bruksel do të takohej me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, dhe përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.
Përplasja me Bullgarinë mban peng negociatat
Mickoski deklaroi se qeveria e tij është e përqendruar te përparimi i bazuar në zbatimin e reformave, por refuzon që çështjet dypalëshe të shndërrohen në pengesa për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“Jemi të gatshëm që, së bashku me BE-në dhe me ata që kanë çështje të pazgjidhura dypalëshe me ne, të ulemi kudo, kurdo dhe të diskutojmë për çdo temë. Fatkeqësisht, nga sa shoh unë, nuk ka interes nga pala tjetër, ndaj ne do të vazhdojmë të përmbushim detyrat tona”, tha kryeministri maqedonas.
Negociatat e Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në BE mbeten të bllokuara për shkak të mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, të cilat janë bërë pjesë e kuadrit negociues.
Shkupi nisi fazën e parë të negociatave në korrik të vitit 2022, por për të kaluar në fazën e dytë dhe për të filluar hapjen e kapitujve, duhet të përfshijë bullgarët në Kushtetutën e vendit.
Qeveria e Mickoskit kërkon garanci se ky do të jetë kushti i fundit dypalësh në procesin e negociatave ose që ndryshimet kushtetuese të hyjnë në fuqi vetëm pasi Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e Bashkimit Europian.






