Gazetari Enrik Mehmeti është përcjellë këtë të diel për në banesën e fundit, pas ndarjes së tij tragjike nga jeta në moshën 40-vjeçare si pasojë e një aksidenti me motor në zonën e Porto Novës, në Zvërnec.

Më herët u zhvilluan homazhe në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë, ku morën pjesë familjarë, miq, kolegë të medias, qytetarë dhe përfaqësues të institucioneve, mes tyre edhe kryeministri Edi Rama.

Enrik Mehmeti ishte prej vitesh gazetar i News24 dhe një nga emrat më të njohur të raportimit në qarkun e Vlorës. Ai mbuloi për shumë vite zhvillimet më të rëndësishme të jugut të vendit, nga kronika e zezë dhe operacionet policore, deri te çështjet sociale, politike dhe turizmi.

Kolegët e kujtojnë si një gazetar të përkushtuar, të pranishëm në çdo ngjarje dhe të angazhuar për të sjellë informacion të verifikuar edhe në situata të vështira.

Mehmeti la pas bashkëshorten dhe dy fëmijët. Ndarja e tij nga jeta ka sjellë reagime dhe mesazhe ngushëllimi nga kolegë, personalitete publike dhe drejtues politikë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu