
Protesta qytetare kundër qeverisë dhe klasës politike ka vijuar edhe këtë të diel, duke hyrë në ditën e saj të 49-të. Protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe marshuan më pas drejt godinës së Kryeministrisë.
Në protestë morën pjesë edhe disa figura të njohura të artit dhe televizionit, të cilët u bashkuan me qytetarët në marshim.
Mes tyre ishin aktorët e humorit Albano Bogdo dhe Irgen Çela, të cilët u panë në krye të protestuesve.

Pjesë e tubimit ishte edhe këngëtari Klajdi Musabelliu, i cili prej kohësh ka shprehur publikisht pakënaqësinë e tij ndaj institucioneve dhe situatës sociale në vend.
Në protestë u fotografua gjithashtu edhe këngëtarja Eranda Libohova, e cila mbante një pankartë me mesazhin: “Aman mos u dorëhiq, se do marrim kilet e humbura nga marshimet”.
Mbështetje për protestën shprehu edhe analistja Balina Bodinaku, e cila iu bashkua thirrjeve të protestuesve gjatë marshimit.
Mes pjesëmarrësve ishte edhe Nikol, ish-konkurrente e një reality show, e cila u bashkua me protestuesit duke deklaruar mbështetjen për kauzën qytetare.






