Konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është përshkallëzuar edhe më tej, me të dyja palët që kanë shkëmbyer sulme për të tetën ditë radhazi. Përplasjet morën një tjetër dimension pasi një sulm iranian ndaj një baze ushtarake amerikane në Jordani vrau dy ushtarë amerikanë, ndërsa një tjetër rezulton i zhdukur.

Sipas autoriteteve iraniane, gjatë natës janë goditur një central bërthamor në ndërtim në Darkhoveyn dhe ishulli Qeshm. Ndërkohë, në Kuvajt një impiant energjie dhe uji u godit për herë të dytë brenda dy ditësh, duke shkaktuar zjarr.

Jordania bëri të ditur se ka rrëzuar tre raketa iraniane, ndërsa një e katërt ra në një zonë të pabanuar. Ammani thirri në Ministrinë e Jashtme të ngarkuarin me punë të Iranit, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të sulmeve, të cilat i cilësoi si të pajustifikuara.

Nga ana tjetër, ushtria amerikane deklaroi se sulmet e saj të fundit kishin si objektiv dobësimin e kapaciteteve të Iranit për të kërcënuar lundrimin tregtar në Ngushticën e Hormuzit, si edhe goditjen e forcave të Gardës Revolucionare që, sipas Uashingtonit, janë përgjegjëse për sulmin ndaj trupave amerikane në Jordani.

Edhe Izraeli raportoi se aktivizoi sistemet e mbrojtjes ajrore për të neutralizuar mbetjet e raketave të lëshuara drejt Jordanisë, ndërsa pranë qytetit Eilat u gjetën fragmente interceptorësh pa shkaktuar viktima apo dëme.

Ndërkohë, Garda Revolucionare iraniane njoftoi se dy anije kishin shpërfillur paralajmërimet për të mos kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit dhe u përfshinë në një incident, duke paralajmëruar se mjetet detare të lidhura me SHBA-në do të përballen me rreziqe nëse përdorin rrugë që Teherani i konsideron të pasigurta.

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) bëri thirrje për vetëpërmbajtje, duke theksuar se objekti bërthamor i goditur ishte ende në fazë ndërtimi dhe nuk përmbante material bërthamor gjatë inspektimit të fundit.

Sipas autoriteteve iraniane, të paktën 50 persona janë vrarë dhe mbi 500 janë plagosur nga sulmet amerikane gjatë javëve të fundit. Ndërkohë, numri i ushtarëve amerikanë të vrarë në këtë konflikt ka arritur në 16.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu