
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas publikimit të arsyetimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen “McGonigal”.
Sipas Bardhit, Gjykata ka zbatuar dy standarde të ndryshme për raste të ngjashme, duke pranuar hetimin parlamentar për zgjedhjet e 11 majit, ndërsa duke refuzuar atë për çështjen “McGonigal”. Ai akuzoi gjyqtarët se kanë bërë politikë në vend të drejtësisë kushtetuese dhe kanë mbrojtur në mënyrë të pajustifikuar kryeministrin Edi Rama.
Deputeti demokrat kritikoi veçanërisht katër gjyqtarët kushtetues, Fiona Papajorgji, Sonila Bejtja, Sandër Beci dhe Ilir Toska, duke pretenduar se ata kanë arritur në përfundimin se çështja “McGonigal” nuk përbën objekt hetimi parlamentar, pavarësisht hetimeve të zhvilluara nga autoritetet amerikane dhe shqiptare.
Në reagimin e tij, Bardhi tha se detyra e Gjykatës Kushtetuese është të kontrollojë kushtetutshmërinë e argumenteve të paraqitura nga shumica parlamentare dhe jo të ndërtojë argumente të reja për të mbrojtur qeverinë. Ai paralajmëroi se Partia Demokratike do ta riformulojë kërkesën për komision hetimor sipas standardeve të përcaktuara nga Gjykata dhe do ta depozitojë sërish në Kuvend.






