
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e së dielës në aksin nacional Çermë–Divjakë, ku një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë, mes tyre dy fëmijë, kanë mbetur të plagosur.
Sipas policisë, rreth orës 15:00, automjeti që drejtohej nga shtetasi H. M., 45 vjeç, është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasi B. C., 38 vjeç. Si pasojë e përplasjes, 38-vjeçari ka ndërruar jetë gjatë transportimit për në spital.
Në automjetin tjetër ndodheshin drejtuesi H. M., bashkëshortja e tij E. M. dhe dy fëmijët e mitur të çiftit. Të katërt morën ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
Ndërkohë, policia njoftoi edhe për një aksident të dytë të ndodhur rreth orës 16:45 në aksin rrugor Fier i Ri–Ngurrëz, ku një motomjet doli nga rruga. Drejtuesi i tij, shtetasi E. T., 47 vjeç, pësoi dëmtime të rënda dhe u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim.






