
Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, ka paralajmëruar krijimin e një strategjie të re për mbrojtjen e vendeve kandidate nga ndikimet e jashtme, dezinformimi dhe sulmet hibride, të cilat sipas saj janë shtuar për shkak të rrugës së tyre drejt anëtarësimit në BE.
Kos bëri të ditur se në fillim të vitit 2027 pritet të nisë funksionimin një Qendër për Rezistencë Demokratike, e cila do të mbështesë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në forcimin e kapaciteteve për mbrojtjen e proceseve demokratike dhe zgjedhore.
“Shtetet kandidate po sulmohen sepse kanë zgjedhur integrimin europian dhe demokracinë. Po ndërtojmë mekanizma për t’i bërë më rezistente ndaj kërcënimeve hibride, manipulimit të informacionit dhe përdorimit të inteligjencës artificiale për të ndikuar në zgjedhje”, u shpreh ajo.
Sipas komisioneres, platforma e kësaj qendre është në përgatitje dhe do të diskutohet më 4 shtator në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së dhe vendeve kandidate.
Kos solli si shembull Malin e Zi, duke thënë se menjëherë pasi nisi puna për traktatin e anëtarësimit, vendi u përball me një rritje të sulmeve hibride dhe fushatave të dezinformimit kundër integrimit europian.
Ajo theksoi se BE po dërgon ekipe vlerësimi në vendet kandidate për të identifikuar dobësitë institucionale dhe për t’i ndihmuar në mbrojtjen e demokracisë dhe integritetit të zgjedhjeve.
Komisionerja nënvizoi gjithashtu se Brukseli po zhvillon një fushatë ndërgjegjësimi edhe brenda vendeve anëtare të Bashkimit Europian, sidomos aty ku mbështetja për zgjerimin mbetet e ulët, me synimin për të rritur mbështetjen publike për pranimin e vendeve të reja.






