
Një histori sa e pabesueshme, aq edhe komike, është zbuluar në Itali, ku disa persona që hiqeshin si mediume pretendonin se kishin aftësinë të komunikonin me shpirtrat e kafshëve të ngordhura. Për këtë shërbim të pazakontë, ata u kërkonin pronarëve të qenve dhe maceve deri në 250 euro.
Por mashtrimi i dyshuar u zbulua në mënyrën më qesharake të mundshme: në vend të lehjes së qenit të vdekur, njërit prej klientëve i mbërriti në WhatsApp një mesazh zanor me pëllitjen e një gomari!
Ngjarja është denoncuar nga Shoqata Italiane për Mbrojtjen e Kafshëve dhe Mjedisit (AIDAA), e cila ka marrë sinjalizime nga të paktën tre persona që pretendojnë se kanë rënë viktima të këtij mashtrimi.
Sipas shoqatës, personat që prezantoheshin si mediume shfrytëzonin dhimbjen emocionale të njerëzve që kishin humbur kafshët e tyre shtëpiake, duke u premtuar një mundësi për të komunikuar sërish me to.
Përmes seancave spiritiste online, ata pretendonin se mund të vendosnin kontakte me botën e përtejme dhe të përcillnin mesazhe nga qentë apo macet e ndjera.
Për t’i bërë seancat më bindëse, klientëve u dërgoheshin edhe regjistrime zanore, që paraqiteshin si tinguj të kafshëve të tyre nga bota tjetër.
Çmimi për këtë përvojë të supozuar paranormale ishte rreth 200 euro, ndërsa në një rast pagesa kishte arritur në 250 euro.
Por pikërisht një nga regjistrimet zanore u bë shkak për zbulimin e mashtrimit të dyshuar.
Një klient, i cili priste të dëgjonte lehjen e qenit të tij të ngordhur, mori në WhatsApp një audio ku dëgjohej qartësisht pëllitja e një gomari.
Gabimi ngriti dyshime serioze mbi vërtetësinë e shërbimit dhe mënyrën se si personat që hiqeshin si mediume krijonin të ashtuquajturat komunikime me kafshët e vdekura.
Sipas AIDAA-s, deri tani janë raportuar të paktën tre raste, një në Foggia, një në Ankona dhe një tjetër në rajonin e Piemontes.
Shoqata nuk përjashton mundësinë që numri i personave të mashtruar të jetë më i madh dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të ngjashëm.
Personave që dyshojnë se kanë rënë viktima u rekomandohet të ruajnë faturat e pagesave, bisedat në WhatsApp dhe mesazhet zanore, të cilat mund të shërbejnë si prova për autoritetet.
Përtej elementit komik të gomarit që u ngatërrua me një qen, historia nxjerr në pah një formë të rëndë shfrytëzimi emocional, ku dhimbja e njerëzve për humbjen e kafshëve të dashura kthehet në mundësi për përfitim financiar.
Burimi: Tgcom24






