
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili komenton pengmarrjen politike të protestës së studentëve nga Sali Berisha dhe Partia Demokratike, si një orvatje për të ardhur në pushtet.
“Iu bashkuat si hienat që nuk janë të zonjat të kapin gjahun e tyre, por marrin gjahun e të tjerëve”, deklaroi Ismaili, pasi vetë kreu i PD pranoi sot se Forumi Rinor Demokrat ishte ndër iniciatorët e protestës.
“Sot Saliu na tha se protestat i ka iniciuar forumi i të rinjve demokratë! Sa keq. Të rinj demokratë, në qoftë se do të bëheni si mësuesi, do merrni rezultatet e mësuesit”, tha ministrja.
Ministrja Ismaili e sheh këtë manovër politike si ri-inskenim të metodave të vjetra berishiste për të marrë pushtetin me dhunë: “Disa të vjedhin dyqane dhe disa të vjedhin pushtet”.
Në reagimin e saj analitik, Ismaili deklaron se gjatë protestave janë lënduar 192 efektivë policie, 96 protestues dhe 36 kalimtarë duke vënë analizën në një sfond më të gjerë global ku 101 organizata dhe celula po organizojnë protesta të dhunshme në Europë.
“Çudi se si për çdo kapitull të mbyllur të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, ju hapni një kapitull të ri dhune”, u shpreh ajo, ndërsa e cilësoi pretendimin për heqjen e non gratës së Berishës “një gënjeshtër që vetëm ju mund ta besoni”.
Duke u bërë thirrje studentëve të mos përdoren për qëllime politike, ministrja rikujton faktin se qeveria mbetet e hapur për dialog.
“Mandati është 4-vjeçar dhe i tillë do të konsumohet”, deklaroi Ismaili, duke e mbyllur qëndrimin e saj me një thumb ndaj kreut të opozitës: “Korbat e ndiejnë vdekjen politike. Koha për të futur hundët e duart e gjakosura në punët e Shqipërisë europiane ka mbaruar”.
REAGIMI I PLOTË
Koha nuk ngutet të japë përgjigje, por në fund e nxjerr gjithmonë të vërtetën në dritë. Të vërtetën që, kauzave, kërkesave, apo zërit të studentëve me të drejtën legjitime të tyre për t’u shprehur edhe nëpërmjet një proteste, ju bashkuat si hienat që nuk janë të zonjat të bëjnë gjahun e tyre, por marrin gjahun e të tjerëve, ju.
Ju që jeni kampionët e të neglizhuarve, ju që sapo ndërtohet një protokoll partnerësh të rëndësishëm, mbani frymën nëse e kanë thirrur kufomën politike që ju drejton. E si ngushëllim për refuzimet, dështimet e përçmimet, për ju, ende sot, vijon të jetë nxitja dhe orkestrimi i urrejtjes, dhunës, kundrejt shtetit, institucioneve, imazhit të Shqipërisë.
Çudi se si për çdo kapitull të mbyllur të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, ju hapni një kapitull të ri dhune. Si ngushëllim për karriget e munguara, si ngushëllim për humbjet madhështore, si ngushëllim për avancimin e Shqipërisë drejt BE-së, si ngushëllim që ju ka dalë boja me ndërkombëtarët, si ngushëllim që heqja e non gratës është një gënjeshtër që vetëm ju mund ta besoni, si një ngushëllim që ju lënë korridoreve e ju heqin mikrofonin kur flisni broçkulla, si ngushëllim edhe i dështimit në mungesë vizioni, ju e gjetët zgjidhjen.
Flakadan, dhunë e kaos.
Kjo protestë ka nxjerrë në pah shumë aleanca fluide dhe komplementare, bashkëpunime interesante që si konkluzion kanë zhveshjen e trotuareve nga gurët dhe gjuajtjen e forcave të rendit, djegien e degëve të bankave, zyrave të Gjykatës së Lartë, dyqane e kioska, duke ndërtuar asgjë më shumë sesa terrenin ideal për hajdutët, ku disa të vjedhin dyqane dhe disa të vjedhin pushtet.
Por koha edhe një herë tregoi se pavarësisht propagandës, manipulimit të së vërtetës, investimit në transformimin e informacioneve, organizimit të mirëmenduar, kjo protestë që u kamuflua nën ombrellën e rinisë shqiptare, nuk është as më shumë e as më pak sesa një mjet tjetër në duart e marionetave dashakeqëse për qëllime që janë në favor të gjithkujt, përveçse të Shqipërisë e shqiptarëve.
Sot Saliu na tha se protestat i ka iniciuar forumi i të rinjve demokratë! Sa keq.
Të rinj demokratë, në qoftë se do të bëheni si mësuesi, do merrni rezultatet e mësuesit.
Mos lejoni që të mbaheni mend si protestuesit që plaçkitën dyqane, morën telefona, bizhuteri, para, pije e çfarë u doli përpara. Por kur mësynë librarinë, nuk morën asnjë libër.
Në statistikat gjatë këtyre ditëve, 192 janë efektivë të lënduar, 96 janë protestues dhe 36 janë kalimtarë.
101 organizata, celula nëpër botë janë duke organizuar në të gjithë Evropën protesta të dhunshme, me qëllim krijimin e destabilitetit dhe më keq akoma në Shqipëri, me shpresën se do të frenojnë a pengojnë rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.
I keni bërë llogaritë gabim, ju keni ikur nga komunizmi, por komunizmi s’ka ikur dot nga ju, por për ne Shqipëria demokratike është e panegociueshme, me sistem të drejtësisë të pavarur e funksional, në një shtet ligjor ku garantohen të drejtat e detyrimet e çdokujt në raport me ligjin, ka vetëm një të ardhme, Shqipërinë si e barabartë në BE.
Jo me llafe, as me premtime, as me propagandë, por me punë, me arritje pas arritjeje, me fitore pas fitoreje, ligj pas ligji, kapitull pas kapitulli.
Ju i fryni zjarrit me thirrje për dhunë, ne i bëjmë hyzmet zjarrit për Shqipërinë evropiane.
Dy fjalë në fund i kam për studentët, ata të vërtetët, ata që e duan vendin e tyre, ata që nuk reshtin së kërkuari më shumë e më mirë, ata që me ambicien e tyre e shtyjnë edhe qeverinë të bëjë më shumë e më mirë, ata që shërbejnë si check and balance. Qeveria është e hapur për dialog. Kryeministri është i hapur për dialog.
Mos lejoni që t’ju përdorin për të bërë presion për të marrë a negociuar një pushtet që nuk e fituan dot me vota.
Të dashur prindër, mos i lejoni fëmijët tuaj minorenë të përdoren si mish për top në vijë të parë, duke i ushqyer me urrejtje kundër policëve, kundër shtetit, kundër institucioneve.
Shqipëria nuk e ka luksin të humbasë asnjë ditë dhe nuk kthehet pas. Tashmë kemi hipur në një tren ku destinacioni i vetëm i ndalesës së Shqipërisë është Bashkimi Evropian.
Mandati është 4-vjeçar dhe i tillë do të konsumohet.
Korbat e ndiejnë vdekjen politike, ndaj mes agonisë dijeni se koha për të futur hundët e duart e gjakosura në punët e Shqipërisë europiane ka mbaruar.






