Tensione pranë Kuvendit të Shqipërisë, ku protestuesit kanë shembur gardhin metalik të vendosur nga policia dhe janë përballur me efektivët e Forcës Kombëtare të Sigurisë (FNSH). Incidenti ka ndodhur gjatë protestës së pedagogëve, të cilët marshuan nga Universiteti Politeknik drejt zonës së Parlamentit.

Sipas Top Channel, pedagogët u nisën nga Universiteti Politeknik dhe marshuan drejt një qendre tregtare pranë Kuvendit, ku po zhvillohej seanca plenare.

Pasi mbërritën përballë barrierave metalike të vendosura nga policia, protestuesit i shembën ato dhe avancuan drejt kordonit të efektivëve të FNSH-së, të pozicionuar disa metra më tej.

Situata krijoi tensione mes protestuesve dhe forcave të rendit, ndërsa policia bëri disa paralajmërime përmes megafonit.

Në afërsi të protestuesve ishte vendosur edhe një autobot uji, si pjesë e masave të sigurisë.

Në momentin e raportimit, seanca plenare e Kuvendit kishte përfunduar.

Protesta pranë Parlamentit zhvillohet në ditën e dhjetë të tubimeve në Shqipëri, ndërsa edhe brenda sallës së Kuvendit seanca e së enjtes u shoqërua me tensione dhe përplasje mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu