Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Venecia ka qenë prej vitesh një trampolinë drejt çmimeve Oscar dhe edicioni i vitit 2026 nuk bën përjashtim. Edhe pse këtë herë kishte më pak produksione të mëdha hollivudiane, gjashtë filma kanë dalë nga festivali me pretendime serioze për çmimet e Akademisë.

Në krye të listës është “Primetime”, ku Robert Pattinson interpreton Chris Hansen, gazetarin e njohur për emisionin kontrovers “To Catch a Predator”. Pattinson shfaqet pothuajse në çdo skenë dhe BBC e konsideron interpretimin si një nga më të fuqishmit e karrierës së tij. Roli mund t’i sjellë aktorit nominimin e parë për Oscar.

Një tjetër pretendent është “Wild Horse Nine” i Martin McDonagh. Komedia e zezë politike ndjek dy agjentë të CIA-s gjatë një udhëtimi në Ishullin e Pashkëve në vitin 1973. John Malkovich dhe Sam Rockwell mbajnë rolet kryesore, ndërsa 72-vjeçari Malkovich shihet si një nga kandidatët e fortë për Oscar për aktorin më të mirë.

Surpriza e Venecias mund të jetë filmi vetëm 17-minutësh “Flesh Impact”, shkruar dhe drejtuar nga Maggie Gyllenhaal për 100-vjetorin e Marilyn Monroe. Historia imagjinon Monroe-n 100-vjeçare duke konkurruar për një rol në Broadway. Atë e interpreton 93-vjeçarja Ellen Burstyn, ndërsa Dakota Johnson shfaqet si Marilyn Monroe e re në rikthimet në kohë.

Në garën për filmin më të mirë ndërkombëtar përmendet “Woman Unknown”, dramë daneze e vendosur në Kopenhagën e pas Luftës së Dytë Botërore. Historia ndjek një grua, e ardhmja e së cilës kërcënohet kur zbulohet marrëdhënia që kishte pasur me një gjerman gjatë pushtimit nazist.

Po aq vëmendje ka marrë “Possible Love” i regjisorit koreano-jugor Lee Chang-dong, i cili rikthehet pas filmit “Burning” të vitit 2018. Drama eksploron marrëdhënien mes dy çifteve nga shtresa të ndryshme shoqërore dhe, sipas BBC-së, pas premierës kishte arritur vlerësim maksimal në Rotten Tomatoes.

Listën e mbyll “Musk”, dokumentari katërorësh i regjisorit fitues të Oscar-it Alex Gibney për Elon Musk. Filmi kalon nga fëmijëria e miliarderit në Afrikën e Jugut te ngritja e tij në Silicon Valley, Tesla dhe SpaceX, si dhe angazhimi i tij politik.

Vetë Musk nuk e ka pritur mirë dokumentarin, duke e quajtur një sulm ndaj tij dhe “të mërzitshëm për katër orë”. BBC, nga ana tjetër, e rendit filmin mes kandidatëve që mund të shkojnë deri te nominimet për Oscar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu