Një sulm me armë ka përgjakur një festë “rave” në veri të Zvicrës, duke lënë të vrarë një 22-vjeçare dhe pesë persona të plagosur. Autori është ende në arrati, ndërsa policia ka nisur një operacion të gjerë kërkimi.

Ngjarja ndodhi gjatë natës në pistën e garave me kuaj në Aarau, rreth 46 kilometra në perëndim të Zyrihut, ku po zhvillohej një aktivitet muzikor.

Policia u njoftua rreth orës 02:30. E reja humbi jetën në vendngjarje, ndërsa katër burra dhe një grua, të moshës 24 deri në 27 vjeç, u transportuan në spital. Sipas autoriteteve, të plagosurit kanë dëmtime që variojnë nga të lehta deri në të rënda.

Identiteti dhe motivet e autorit mbeten të panjohura. Të paqarta janë edhe rrethanat e sakta në të cilat ndodhi sulmi.

DJ zviceran Tekibo, i cili po performonte në festë, e përshkroi ngjarjen si “zemërthyese”. Ai tha se kishte humbur një mik të rëndësishëm dhe se ende po përpiqej të kuptonte atë që kishte ndodhur.

Policia ka rrethuar zonën përreth pistës, pishinës së qytetit dhe terreneve sportive, ndërsa qytetarëve u është kërkuar të qëndrojnë larg. Forca të shumta të armatosura janë vendosur edhe jashtë Aaraut, me kontrolle të raportuara deri në 30 kilometra nga vendi i sulmit.

Pamjet nga zona treguan efektivë me pajisje të rënda, policë të armatosur dhe një automjet të blinduar që bllokonte rrugën. Në operacion u angazhuan gjithashtu njësitë e emergjencave dhe një helikopter i ushtrisë zvicerane.

Autoritetet u kanë bërë thirrje dëshmitarëve të dorëzojnë çdo fotografi ose video të regjistruar gjatë ngjarjes, të cilat mund të ndihmojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit.

Zvicra ka një nga normat më të larta të zotërimit të armëve në Europë, megjithëse sulmet e dhunshme me armë janë relativisht të rralla.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu