
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është kthyer në Shqipëri pas vizitës njëjavore në Shtetet e Bashkuara, të cilën e cilësoi si “udhëtimin më ripërtëritës” të jetës së tij politike.
Në një prononcim për mediat në Rinas, Berisha tha se delegacioni ku bënte pjesë edhe Fatmir Mediu kishte udhëtuar me ftesë të Unionit Demokrat Ndërkombëtar dhe Institutit të Lidershipit Amerikan, ndërsa mori pjesë në Konventën e Partisë Republikane në Teksas.
“Ky është udhëtimi më ripërtëritës i jetës time. Pra, ta quajmë ripërtëritje”, deklaroi Berisha, duke sqaruar më pas se nuk i referohej vetëm vetes, por PD-së dhe opozitës.
Kreu demokrat veçoi fjalimin e presidentit amerikan Donald Trump, duke pretenduar se mesazhet e tij kundër komunizmit dhe narkotrafikut “e kanë trishtuar shumë kreun e narkoshtetit”, term me të cilin Berisha iu referua kryeministrit Edi Rama.
Berisha deklaroi gjithashtu se gjatë qëndrimit në SHBA zhvilloi takime me përfaqësues të Kongresit, Senatit dhe administratës Trump. Sipas tij, dy temat kryesore të diskutimeve ishin ajo që ai e quan “narkoshteti” dhe problematika e zgjedhjeve në Shqipëri.
“SHBA kanë potencialin më të jashtëzakonshëm për të ndihmuar”, tha Berisha, duke argumentuar se mbështetja amerikane mund të jetë e rëndësishme si për proceset zgjedhore, ashtu edhe për luftën kundër trafikut të drogës.
Një pjesë të rëndësishme të vizitës Berisha ia kushtoi diasporës shqiptare. Ai tha se e kishte gjetur atë shumë më të fuqishme ekonomikisht dhe profesionalisht se 35 vite më parë dhe i cilësoi takimet me shqiptarët në SHBA si pjesën më frymëzuese të udhëtimit.
Berisha pretendoi gjithashtu se Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, nuk e kishte uruar Edi Ramën pas zgjedhjeve në Shqipëri, duke e përdorur këtë si argument në qëndrimin e tij për procesin zgjedhor.






