Kryeministri Edi Rama ka dhënë nga Gjirokastra detaje të reja për mënyrën se si parashikohet të funksionojë qeverisja vendore pas Reformës së re Territoriale. Sipas tij, synimi është përqendrimi i disa funksioneve që bashkitë e vogla nuk arrijnë t’i kryejnë, por pa humbur përfaqësimin dhe buxhetin e qyteteve.

Gjatë takimit me strukturat vendore dhe përfaqësues të bashkive të qarkut, Rama tha se çdo qytet do të ketë drejtuesin e vet, i cili njëkohësisht do të mbajë edhe postin e nënkryetarit të bashkisë.

Një tjetër ndryshim lidhet me këshillat bashkiakë. Sipas kryeministrit, përfaqësimi do të bëhet përmes kuotave të përcaktuara për secilin qytet, në mënyrë që edhe qytetet që do të përfshihen në një bashki më të madhe të kenë përfaqësuesit e tyre.

“Do ketë përfaqësuesit e vet në këshillin bashkiak. Do ndahet këshilli bashkiak me kuota, kaq kuota ka nga Libohova”, tha Rama.

Kryeministri përdori Libohovën si shembull për të kundërshtuar shqetësimin se bashkimi mund t’i kalojë fondet e qyteteve më të vogla drejt qendrës së bashkisë.

Si do ia marrim ne buxhetin Libohovës dhe ta çojmë në Gjirokastër? Si? Aty në këshill, Libohova do ketë përfaqësuesit e vet”, deklaroi ai.

Rama përmendi edhe Memaliajn dhe Tepelenën, duke i cilësuar dy qytete të barabarta që duhet të ruajnë përfaqësimin e tyre.

Kreu i qeverisë pranoi ndërkohë se modeli aktual i njësive administrative nuk ka funksionuar siç duhet.

Jam dakord që njësitë administrative sot nuk funksionojnë si duhet, nuk bëjnë atë gjënë për të cilën janë të parët që duhet ta bëjnë”, tha Rama.

Reforma e re Territoriale synon, sipas kryeministrit, të krijojë një organizim më funksional të pushtetit vendor, duke përqendruar disa shërbime dhe funksione, por duke ruajtur drejtimin dhe përfaqësimin e qyteteve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu