Gjykata e Romës ka dënuar me burgim të përjetshëm Mark Antony Samson, autorin e vrasjes së 22-vjeçares Ilaria Sula, studentes me origjinë shqiptare që u vra nga ish-i dashuri i saj në mars të vitit 2025.

Vendimi u dha këtë të martë, më 27 tetor, nga Gjykata e Asizeve në Romë, pas rreth tri orësh diskutimesh. Gjyqtarët pranuan kërkesën e Prokurorisë për dënimin maksimal, duke njohur edhe rrethanat rënduese të paramendimit, motiveve të dobëta dhe marrëdhënies sentimentale mes autorit dhe viktimës.

Por momentet më prekëse erdhën pas shpalljes së vendimit, kur prindërit e Ilaria Sulës folën për mediat italiane.

Babai i saj, Flamur Sula, deklaroi se vendimi kishte vendosur drejtësi, por asnjë dënim nuk mund t’ia kthente vajzën.

“U bë drejtësi, por burgimin e përjetshëm e kemi ne, unë dhe bashkëshortja ime. Ai ende merr frymë, vajza ime jo”, u shpreh ai.

Edhe nëna e Ilaria Sulës, Gëzime Sula, e përlotur përpara kamerave të televizionit publik italian RAI, u bëri thirrje të rinjve të respektojnë vajzat dhe të mos përdorin dhunë ndaj tyre.

Ajo u shpreh se dëshiron të besojë që vajza e saj tashmë prehet në paqe.

Ilaria Sula, studente e Statistikës në Universitetin La Sapienza të Romës, u vra më 25 mars 2025 në apartamentin e ish-të dashurit të saj, në rrugën Homs të kryeqytetit italian.

Sipas hetimeve, Samson e goditi të renë me thikë dhe më pas e fshehu trupin në një valixhe, të cilën e hodhi në një humnerë në zonën e Capranica Prenestina, në afërsi të Romës.

Trupi i 22-vjeçares u zbulua më 2 prill, pas disa ditësh kërkimesh.

Gjatë procesit gjyqësor, Prokuroria argumentoi se krimi nuk ishte rezultat i një shpërthimi të çastit, por ishte planifikuar më parë.

Prokurorja Maria Perna deklaroi se Samson nuk kishte shfaqur pendesë të vërtetë për vrasjen, duke kundërshtuar pretendimet e mbrojtjes se ngjarja kishte ndodhur si pasojë e një reagimi impulsiv.

Në procesin penal është trajtuar edhe roli i nënës së autorit, e cila kishte pranuar një marrëveshje dënimi me dy vite burg për bashkëpunim në fshehjen e trupit të viktimës.

Në seancën përfundimtare ishin të pranishëm familjarë, miq dhe studentë të Universitetit La Sapienza, ku Ilaria vazhdonte studimet përpara se t’i ndërpritej jeta.

Vendimi i së martës është **dënim në shkallë të parë** dhe mund t’i nënshtrohet procedurave të apelimit.

Vrasja e Ilaria Sulës tronditi opinionin publik italian dhe shqiptar, duke rikthyer debatin mbi dhunën ndaj grave dhe vajzave.

Për familjen Sula, megjithatë, përfundimi i kësaj faze të procesit gjyqësor nuk i jep fund dhimbjes.

Fjalët e babait të Ilaria Sulës pas vendimit përmbledhin tragjedinë e familjes: autori mund të kalojë pjesën tjetër të jetës në burg, por prindërit do të jetojnë përgjithmonë me mungesën e vajzës së tyre.

 

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu