Presidenti amerikan Donald Trump ka minimizuar paralajmërimet gjithnjë e më të forta për rreziqet që mund të sjellë inteligjenca artificiale, duke argumentuar se Shtetet e Bashkuara nuk mund të ngadalësojnë zhvillimin e teknologjisë ndërsa janë në garë me Kinën.

Gjatë vizitës së tij në Irlandë, Trump tha se ekzistojnë “forca shumë negative” që ngrenë skenarë që, sipas tij, nuk do të ndodhin.

“Ne po udhëheqim Kinën në inteligjencën artificiale dhe, sinqerisht, dua që të vazhdojmë kështu, sepse kushdo që fiton AI-në, fiton”, deklaroi presidenti amerikan.

Qëndrimi i Trump vjen pas paralajmërimeve të forta nga drejtues dhe studiues të industrisë. Ish-studiuesi i Anthropic dhe ish-punonjësi i OpenAI, Jacob Coxon, deklaroi se personat që po zhvillojnë sistemet më të avancuara janë “realisht të frikësuar” për të ardhmen e njerëzimit. Ai mbështeti idenë e ngadalësimit të zhvillimit të AI-së, por theksoi se një masë e tillë do të duhej të koordinohej edhe me Kinën.

Edhe drejtues të kompanive më të mëdha të sektorit kanë ngritur alarmin. Elon Musk i xAI dhe Sam Altman i OpenAI mbështetën paralajmërimin e drejtuesit të Anthropic, Dario Amodei, se ritmi i zhvillimit duhet ngadalësuar për të reduktuar rrezikun që diçka të shkojë seriozisht keq.

Debati ka mbërritur edhe në Kongresin amerikan. Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, paralajmëroi se rregullimi i nxituar mund të “mbysë inovacionin amerikan” dhe t’i japë avantazh Kinës.

Në krahun tjetër, kreu i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, kërkoi “veprim vendimtar”, duke argumentuar se ritmi i zhvillimit të AI-së duhet ngadalësuar për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Pavarësisht përplasjes politike, në Kongres ekziston edhe një përpjekje dypartiake. Demokratë dhe republikanë kanë paraqitur Frontier Act, një projektligj që synon krijimin e një kuadri kombëtar për sigurinë dhe mbikëqyrjen e inteligjencës artificiale.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu