Një dron rus ka goditur një tren në perëndim të Ukrainës, vetëm rreth dy kilometra nga kufiri me Poloninë, pak pasi ish-kryeministri britanik Boris Johnson dhe zyrtarë të lartë europianë të sigurisë kishin kaluar në të njëjtën linjë hekurudhore.

Sulmi ndodhi në Yahodyn, ku u godit lokomotiva e trenit. Autoritetet ukrainase njoftuan se nuk pati viktima apo të plagosur, pasi pasagjerët ishin evakuuar. Urdhri për largimin e tyre ishte dhënë vetëm 15 minuta përpara goditjes.

Boris Johnson dhe këshilltarë të lartë europianë të sigurisë, mes tyre britaniku Jonathan Powell, kishin udhëtuar më herët përgjatë së njëjtës linjë me një tren tjetër, duke u kthyer nga një konferencë në Kiev.

Kompania shtetërore hekurudhore ukrainase, Ukrzaliznytsia, ngriti dyshimin se objektivi i dronit mund të ketë qenë treni diplomatik, i cili ishte larguar nga stacioni më herët nga sa ishte parashikuar, për shkak të ndryshimit të orarit si pasojë e kërcënimeve të vazhdueshme ruse.

Në momentin e sulmit, në stacionin e Yahodyn ndodhej me një tren tjetër edhe ish-drejtori i CIA-s, David Petraeus.

Moska konfirmoi se kishte goditur “infrastrukturë hekurudhore” në Ukrainën perëndimore, por nuk tha se kishte synuar delegacionet e huaja.

Johnson reagoi duke e cilësuar sulmin një tjetër shembull të goditjeve që ukrainasit përballojnë çdo ditë dhe u kërkoi aleatëve të Kievit të sigurojnë me urgjencë më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore.

Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha tha se sulmet pranë kufirit tregojnë se “terrori i Putinit po troket drejtpërdrejt në dyert e BE-së dhe NATO-s”.

Edhe në Poloni është rritur shqetësimi. Kryeministri Donald Tusk thirri një takim emergjent, duke paralajmëruar se përshkallëzimi rus po afrohet gjithnjë e më shumë me kufirin polak.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu