Deklarata e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd se Ukraina nuk e ka ndryshuar qëndrimin për mosnjohjen e Kosovës ka shkaktuar reagime të forta në Prishtinë dhe Tiranë.

Pas deklaratës së Zelenskyt, Komuna e Prishtinës ka hequr nga qendra e kryeqytetit flamurin me mbishkrimin “Free Ukraine”, i vendosur pas nisjes së pushtimit rus si shenjë solidariteti me popullin ukrainas.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, deklaroi se Kosova do të vazhdojë të solidarizohet me popujt që përballen me luftë dhe persekutim, por theksoi se shtetësia e Kosovës duhet të respektohet.

“Empatia dhe solidariteti ynë do të jenë gjithmonë me popujt që përballen me luftë, dhunë e persekutim. Por asnjë kauzë dhe asnjë politikë nuk mund të ndërtohet duke nënçmuar shtetësinë e Kosovës dhe sakrificën e popullit të saj”, u shpreh Rama.

Ndaj deklaratës së Zelenskyt reagoi edhe ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca. Ai kujtoi se Kosova ka qenë në krah të Ukrainës që nga dita e parë e agresionit rus, pavarësisht faktit se Kievi nuk e njeh pavarësinë e saj.

Konjufca përmendi vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, ndihmën humanitare, strehimin e gazetarëve ukrainas dhe mbështetjen ushtarake e trajnuese për Ukrainën.

Sipas tij, nuk mund të vendoset asnjë paralele mes Kosovës dhe territoreve ukrainase të pushtuara apo të aneksuara nga Rusia.

“Përpjekjet e Rusisë për ta përdorur Kosovën si precedent apo justifikim për pushtimin, okupimin apo përpjekjen për aneksimin e territorit ukrainas janë historikisht dhe ligjërisht të pavërteta”, deklaroi Konjufca.

Reagim pati edhe nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, e cila theksoi se Kosova dhe agresioni rus ndaj Ukrainës janë dy çështje krejtësisht të ndryshme.

Tirana zyrtare rikujtoi se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vlerësuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, ndërsa agresioni rus ndaj Ukrainës përbën shkelje të Kartës së OKB-së dhe të rendit ndërkombëtar.

Zelensky, gjatë vizitës së tij në Serbi, deklaroi se Ukraina vazhdon të respektojë integritetin territorial të Serbisë dhe se nuk ka ndryshuar qëndrimin për njohjen e Kosovës.

Kosova, megjithatë, ka qenë një nga vendet e rajonit që ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme Ukrainën që nga fillimi i luftës në vitin 2022.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu