
Vera e pazakontë me temperatura rekord në Francë pritet të sjellë një ndryshim edhe te një prej produkteve më të famshme të vendit: shampanja mund të bëhet më e fortë.
Prodhuesit francezë kanë marrë leje që, vetëm për këtë vit, të prodhojnë shampanjë me përmbajtje alkooli deri në 15%, duke kaluar kufirin e zakonshëm prej 13%.
Shkak janë temperaturat ekstreme dhe thatësira e kësaj vere, të cilat kanë prodhuar rrush me nivele jashtëzakonisht të larta sheqeri. Gjatë fermentimit, majaja e shndërron këtë sheqer në alkool, duke bërë që disa verëra të tejkalojnë kufirin e përcaktuar.
Rajoni Champagne regjistroi këtë vit edhe vjeljen më të hershme të rrushit në historinë e tij. Sipas shoqatës së industrisë Comité Champagne, për shkak të ndryshimeve klimatike, një sezon i tillë mund të kthehet në normalitet brenda 10–15 viteve.
Megjithatë, ndryshimi nuk do të thotë se shampanjat do të kenë automatikisht 15% alkool. Sipas industrisë, vetëm një numër shumë i vogël verërash nga prodhimi i këtij viti mund të kalojnë kufirin aktual prej 13%, duke arritur rreth 13.1–13.2%.
Pikërisht për të shmangur probleme me rregullat ekzistuese, autoritetet kanë vendosur që tavani të rritet përkohësisht në 15%.
Pra, adhuruesit e shampanjës mund të kenë këtë vit një arsye më shumë për të kontrolluar etiketën: disa shishe mund të jenë pak më të forta se zakonisht.






