Arabia Saudite ka mbyllur një nga arteriet më të rëndësishme të eksportit të naftës, pasi tubacioni strategjik East-West u godit nga dronë të nisur nga territori i Irakut. Sulmi vjen në një moment kur konflikti në Lindjen e Mesme po zgjerohet dhe rebelët Houthi po avancojnë në Jemen.

Tubacioni, rreth 1,200 kilometra i gjatë, i mundëson Arabisë Saudite të transportojë naftën drejt Detit të Kuq duke shmangur Ngushticën e Hormuzit. Sipas të dhënave të cituara nga BBC, përmes tij po kalonte rreth 4–5% e furnizimit botëror me naftë.

Riadi njoftoi se tubacioni është mbyllur si masë paraprake. Sulmi ka shkaktuar disa të plagosur dhe dëme materiale, ndërsa autoritetet po vlerësojnë përmasat e goditjes.

Iraku ka pranuar se dronët janë nisur nga provinca Maysan, në kufi me Iranin. Kryeministri irakian ka shkarkuar komandantin ushtarak përgjegjës për zonën dhe ka urdhëruar nisjen e një hetimi.

Arabia Saudite, e cila më parë ka akuzuar milicitë e mbështetura nga Irani në Irak për sulme ndaj infrastrukturës së saj energjetike, ka vendosur për momentin të mos kundërpërgjigjet. Megjithatë, Riadi deklaroi se rezervon të drejtën për të marrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e territorit dhe instalimeve strategjike.

Situata rëndohet edhe nga zhvillimet në Jemen. Houthit, të mbështetur nga Irani, pretendojnë se kanë marrë kontrollin e gjithë vijës bregdetare të Detit të Kuq dhe të zonës së Bab al-Mandab, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit detar drejt Kanalit të Suezit.

Forcat e qeverisë së Jemenit kanë kundërsulmuar, duke goditur pozicionet e Houthive në Mokha dhe zona të tjera përgjatë bregdetit.

Frika për furnizimin global me energji ka shtyrë çmimin e naftës bruto mbi 100 dollarë për fuçi për herë të parë që nga korriku, duke shtuar shqetësimet për një valë të re inflacioni dhe rritje të kostove në ekonominë globale.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu