
Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 300 të tjerë janë plagosur pas një sulmi të ri të Huthive ndaj aeroportit ndërkombëtar “King Khalid” në Riad të Arabisë Saudite.
Sulmi është regjistruar në mbrëmjen e së premtes dhe ka goditur sërish një nga pikat më të rëndësishme të transportit ajror në vend, vetëm një ditë pas një tjetër sulmi me raketa ndaj të njëjtit aeroport.
Bilanci i viktimave është rënduar ndjeshëm krahasuar me informacionet e para, kur raportohej vetëm për disa të plagosur dhe dëme në zonën e aeroportit.
Mbi 300 persona rezultojnë të plagosur, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë ndërhyrjet dhe autoritetet saudite po vlerësojnë dëmet e shkaktuara.
Ky është sulmi i dytë i rëndë në pak ditë ndaj aeroportit të Riadit. Një ditë më parë, një tjetër goditje e Huthive kishte lënë të paktën tre të vdekur dhe kishte detyruar autoritetet të pezullonin përkohësisht fluturimet.
Sulmet kanë rritur ndjeshëm tensionin në rajon dhe kanë sjellë probleme serioze në trafikun ajror, ndërsa disa kompani kanë anuluar ose devijuar fluturimet drejt kryeqytetit saudit.






