
Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtore Fatime Kryemadhin për pastrim të produkteve të veprës penale, por ka pezulluar ekzekutimin e dënimit me burg, duke e vendosur në shërbim prove për dy vjet. Në të njëjtin vendim, gjykata ka rrëzuar kërkesën e SPAK për konfiskimin e vilës së saj në rezidencën “Kodra e Diellit” në Tiranë.
Sipas vendimit të publikuar nga Mapo, nëna e Monika Kryemadhit u dënua fillimisht me shtatë vjet e gjashtë muaj burg. Nga aplikimi i gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në pesë vjet, ndërsa ekzekutimi i tij u pezullua. Gjatë periudhës së provës, ajo duhet të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës dhe të mos kryejë vepër tjetër penale.
Gjykata shpalli të pafajshëm ish-kreun e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Piro Xhixho, për akuzën e korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë, të kryer në bashkëpunim. Sipas vendimit, nuk u provua që ai kishte kryer veprën penale. Për pasojë, iu hoq edhe masa e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”.
Ndërkohë, Ema Çoku u shpall fajtore për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Pas uljes nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i saj u caktua në një vit e katër muaj burg. Edhe për të, gjykata pezulloi ekzekutimin e burgimit dhe caktoi dy vjet e tetë muaj shërbim prove, duke hequr masën “Detyrim paraqitjeje”.
Tre të pandehurit u gjykuan në një pjesë të veçuar të dosjes Meta–Kryemadhi, ndërsa procesi ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit vijon veçmas.






