Huthit e Jemenit kanë paralajmëruar kompanitë ajrore dhe pasagjerët që të shmangin aeroportet dhe hapësirën ajrore të Arabisë Saudite, pas sulmit vdekjeprurës ndaj Aeroportit Ndërkombëtar “King Khalid” në Riad.

Sipas autoriteteve saudite, të paktën 12 persona humbën jetën dhe 309 të tjerë u plagosën në sulmin e së shtunës. Mes viktimave janë katër shtetas sauditë, dy nga Bangladeshi dhe nga një shtetas i SHBA-së, Jordanisë, Palestinës, Sirisë, Sudanit dhe Egjiptit.

Pas sulmit, operacionet në aeroport u pezulluan përkohësisht për vlerësimin e dëmeve dhe kontrollet e sigurisë, duke shkaktuar anulime dhe vonesa të shumta fluturimesh.

Zëdhënësi ushtarak i Huthive, Yahya Saree, deklaroi se aeroportet dhe hapësira ajrore saudite konsiderohen “objektiva të mundshme” të operacioneve të grupit, ndërsa nga paralajmërimi janë përjashtuar Meka dhe Medina.

Sulmi në Riad vjen pas një serie goditjesh ndaj infrastrukturës saudite gjatë ditëve të fundit. Më 8 tetor, i njëjti aeroport u godit dy herë, duke shkaktuar tre viktima dhe dëmtimin e një avioni të kompanisë Saudia.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar ndërkohë se Shtetet e Bashkuara mund t’i bashkohen Arabisë Saudite në goditjet kundër Huthive. “Mundemi. Do ta shqyrtojmë dhe do të marrim një vendim shumë shpejt”, tha Trump.

Edhe Britania e Madhe ka paralajmëruar qytetarët e saj të shmangin aeroportin e Riadit dhe ka lënë të hapur mundësinë e rritjes së mbështetjes për Arabinë Saudite.

Sulmi është cilësuar nga OKB-ja si shkelje e së drejtës ndërkombëtare, ndërsa Bashkimi Europian, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Egjipti dhe vende të tjera kanë shprehur solidaritet me Riadin.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu