Kryeministri Edi Rama është pyetur nga gazetarët në Bruksel për hetimet e SPAK ndaj Belinda Ballukut dhe ndikimin që mund të kenë ato në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në prag të takimit të liderëve në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, Rama deklaroi se pikërisht lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë është një nga arsyet përse Shqipëria duhet të konsiderohet një vend serioz kandidat për anëtarësim.

“Ajo çfarë Shqipëria po bën në luftën kundër korrupsionit është e pashembullt në rajon dhe është arsyeja precize pse Shqipëria duhet të konsiderohet si një vend shumë serioz kandidat, sepse deri jo shumë më parë Shqipëria gjithmonë shihej si një vend ku kultura e pandëshkueshmërisë ishte ngritur si e tillë e ku korrupsioni ishte sistem, sot Shqipëria është një vend ku sistemi po e lufton tej mase korrupsionin”, deklaroi Rama.

Kryeministri shtoi se çdo çështje duhet të kalojë përmes një procesi të rregullt ligjor.

Rama: BE-ja të marrë guximin për të ulur vendet kandidate në tryezë

Kryeministri përsëriti propozimin e tij për përfshirjen e të gjitha vendeve kandidate në tryezën e Bashkimit Europian, pa ndryshuar procesin e anëtarësimit të bazuar në meritën individuale të secilit shtet.

“Bashkimi Europian duhet të marrë kurajën që të hedhë një hap shumë të guximshëm përpara, duke i ulur të gjitha vendet kandidate përreth tryezës, pa ndryshuar procesin bazuar në meritë për secilin prej vendeve, por duke përçuar një sinjal shumë të fortë. Nga njëra anë për ne dhe nga ana tjetër për të gjithë botën”, tha Rama.

I pyetur për propozimin gjerman, kryeministri deklaroi se kjo nismë, ashtu si edhe propozimet e tjera, ka nevojë për një kornizë më të gjerë që të përfshijë të gjitha vendet kandidate.

Mbyllja e kapitujve, Rama: Presim dritën jeshile nga Komisioni Europian

Sa i përket numrit të kapitujve të negociatave që Shqipëria synon të mbyllë deri në fund të vitit, Rama nuk dha një shifër konkrete, por deklaroi se procesi po ecën sipas planit.

“Ne po punojmë çdo ditë shumë fort me Komisionin. Le të shohim aritmetikën, por me sa di unë, jemi në rrugën e duhur sipas planit. Nga ana tjetër, nuk është punë vetëm me një kah, është një punë me dy kahe. Për një pjesë të punës presim ende që Komisioni të çelë dritën jeshile”, u shpreh kryeministri.

Sipas tij, Komisioni Europian duhet të miratojë tekstet që pala shqiptare ka përgatitur tashmë.

Në përfundim, Rama u pyet edhe për Donald Trump dhe çështjet tregtare, por shmangu komentet, duke e zhvendosur vëmendjen te tregu i përbashkët europian.

“Nuk di gjë për të. Di për tregun e përbashkët këtu dhe kjo është ajo çfarë pres me padurim”, tha kryeministri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu