Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar një muaj paraburgim për V.R., i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vëllait të saj, si dhe plagosjen e një personi tjetër në Livoç të Ulët.

Sipas Gjykatës, ngjarja ndodhi më 9 tetor, rreth orës 14:21, pas një mosmarrëveshjeje motivet e së cilës ende nuk janë sqaruar.

I dyshuari dyshohet se fillimisht ka qëlluar me armë zjarri bashkëshorten e tij, e cila ndodhej në sediljen e pasagjerit, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Më pas ai dyshohet se është ndalur pranë një automjeti ku ndodheshin vëllai i bashkëshortes dhe dy persona të tjerë, ndaj të cilëve ka hapur zjarr. Vëllai i gruas humbi jetën në vend, një person tjetër u plagos rëndë, ndërsa i treti arriti të largohej.

Pas të shtënave, i dyshuari e ka dërguar bashkëshorten në oborrin e Spitalit Rajonal të Gjilanit, pranë urgjencës, dhe më pas është dorëzuar në polici.

Prokuroria e ngarkon V.R. me veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Gjykata ka vlerësuar se masat më të buta nuk do të ishin të mjaftueshme për zhvillimin normal të procedurës penale dhe për këtë arsye vendosi paraburgimin njëmujor.

Palët kanë të drejtë ta ankimojnë vendimin në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu