Franca po përballet me një valë të pazakontë protestash të nxënësve, që ka çuar në mbylljen e qindra shkollave, përplasje me policinë, zjarre dhe dëmtime të rënda. Vetëm të enjten u arrestuan 1.949 persona, ndërsa autoritetet raportojnë qindra të plagosur.

Ajo që nisi si protestë e nxënësve të shkollave të mesme për kushtet e arsimit është shndërruar në një krizë serioze të rendit publik në Francë.

Nxënësit kërkojnë më shumë mësues, klasa më pak të mbipopulluara, zëvendësimin e mësuesve që mungojnë dhe përmirësimin e godinave shkollore.

Protestat nisën në zonën e Parisit dhe më pas u përhapën në të gjithë vendin.

Sipas Ministrisë franceze të Arsimit, vetëm të premten 564 shkolla ishin prekur nga grevat ose trazirat, ndërsa afro 400 nga 3.700 shkollat e mesme ishin mbyllur.

Situata ishte edhe më e rëndë një ditë më parë. Ministri i Arsimit, Édouard Geffray, tha se 1.207 shkolla të mesme ishin prekur ose bllokuar, ndërsa më shumë se 100 shkolla kishin pësuar dëme të rënda.

65 punonjës të arsimit janë plagosur, mes tyre 40 drejtues shkollash.

Edhe bilanci i policisë është i rëndë. Ministria e Brendshme raportoi 1.949 të arrestuar vetëm të enjten dhe 305 efektivë policie të plagosur.

Në disa qytete protestat kanë degjeneruar në dhunë. Në Marsejë, pamjet tregojnë persona të maskuar që sulmojnë një zjarrfikëse, thyejnë xhamat dhe më pas automjeti përfshihet nga flakët.

Në një tjetër episod, një person i maskuar shihet duke drejtuar atë që duket si një flakëhedhës artizanal drejt fytyrës së një gruaje.

Një nga episodet më të rënda ndodhi në Nantes, ku zjarri dëmtoi rëndë gjimnazin Nelson-Mandela. Shkolla, e ndërtuar vetëm 12 vjet më parë me një kosto prej 64 milionë eurosh dhe me rreth 1.700 nxënës, pritet të qëndrojë e mbyllur për disa javë.

Autoritetet franceze thonë se një pjesë e protestave janë infiltruar nga persona të dhunshëm që nuk janë nxënës. Ministri i Drejtësisë, Gérald Darmanin, foli për një “pakicë aktive dhe të dhunshme”, duke deklaruar se protestat kanë kaluar nga demonstratat e nxënësve në një problem të rendit publik.

Megjithatë, vetë autoritetet pranojnë se një pjesë e kërkesave të nxënësve janë legjitime. Protestuesit dhe sindikatat kërkojnë më shumë mësues, kushte më të mira mësimore dhe investime në shkollat publike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu