SPAK ka nisur marrjen në pyetje të zyrtarëve për bllokimin e pagave të magjistratëve. E para që është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme është drejtoresha e Thesarit, Elmira Peto, e cila po pyetet në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen.

Hetuesit kanë administruar dokumentacionin që lidhet me bllokimin e pagesave dhe pas Petos pritet të thirren edhe zyrtarë të Ministrisë së Financave.

Hetimi lidhet me pretendimet për shpërdorim detyre, pengim të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të tij.

Ndërkohë, Presidenti i Republikës ka dekretuar ligjin e ri për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i hapur rrugë zhbllokimit të pagesave. Ligji hyn në fuqi menjëherë, pas kërkesës së Kuvendit për shkak të situatës së krijuar.

Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve ishin bllokuar që prej 1 gushtit, pas shfuqizimit nga Gjykata Kushtetuese të dispozitave që rregullonin formulën e tyre.

Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, Thesari mund të nisë ekzekutimin e pagave të prapambetura dhe atyre në vijim, ndërsa SPAK vijon paralelisht hetimin për të përcaktuar se kush urdhëroi dhe kush zbatoi bllokimin e pagesave.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu