
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka pranuar publikisht përfshirjen e strukturave të partisë së tij në bojkotin e universiteteve dhe gjimnazeve në vend, duke deklaruar se organizatat rinore demokrate kishin luajtur një rol të rëndësishëm që përpara shpalljes zyrtare të bojkotit nga sindikatat.
Deklarata e Berishës hedh më shumë dritë mbi përfshirjen e PD-së në protestat studentore, të cilat drejtuesi demokrat vazhdon t’i cilësojë si një lëvizje me karakter qytetar.
Në një prononcim për gazetarët këtë të hënë, më 2 nëntor, Berisha deklaroi se Partia Demokratike ishte ndër të parat që iu përgjigj thirrjes së Sindikatave të Pavarura të Universitetit për protestën e 13 tetorit.
“Degët tona kanë luajtur rol të madh në bojkot”
Sipas Berishës, strukturat e Forumit Rinor të Partisë Demokratike në universitete dhe gjimnaze kanë qenë aktive në organizimin e bojkotit, madje përpara vendimit të sindikatës.
“Partia Demokratike, strukturat e saj të forumit rinor, ne kemi një forum rinor, kemi një organizatë partnere në statutin tonë që është Forumi Rinor i Partisë Demokratike, i cili ka degën e saj në universitete, kjo degë me degët kanë luajtur një rol të madh shumë në bojkotin e universiteteve dhe gjimnazeve të mbarë vendit, para se sindikata të shpallte bojkotin e universitetit”, deklaroi ai.
Kreu demokrat shkoi më tej, duke pohuar se organizatat rinore të lidhura me PD-në kishin ndihmuar në realizimin e grevës.
“Para se të shpallet bojkoti dhe greva e universitetit, seksionet apo organizata e forumit, në bashkëpunim me të tjerë, kanë realizuar grevën kombëtare të universiteteve dhe pjesës dërrmuese të gjimnazeve”, tha Berisha.
Këto deklarata janë pretendime të kreut të PD-së për përmasat dhe rolin e strukturave partiake në bojkot.
Nga “nuk jemi organizatorë” te pranimi i rolit në bojkot
Deklaratat e së hënës vijnë vetëm tri ditë pasi Berisha kishte theksuar se Partia Demokratike nuk ishte organizatore e protestës studentore, por vetëm mbështetëse e saj.
Më 30 tetor, në një intervistë televizive, ai deklaronte:
“Strukturat tona në universitete dhe gjimnaze iu përgjigjën thirrjes për protestë, por nuk jemi organizatorë.”
Tashmë, pohimi se organizatat rinore të PD-së kishin realizuar bojkotin në bashkëpunim me të tjerë, përpara shpalljes së tij nga sindikatat, i jep një dimension tjetër debatit mbi rolin e partive politike në lëvizjen studentore.
Megjithatë, Berisha nuk ka deklaruar se PD është organizatorja e vetme e protestave.
Demokratët në protesta, por pa flamuj partie
Pavarësisht pranimit të rolit të strukturave partiake, Berisha këmbënguli se demokratët do të vazhdojnë të marrin pjesë në protesta pa përdorur simbolet e PD-së.
“Të rinjtë demokratë dhe populli demokrat do të jetë i tëri në protestë, jo me simbole partiake, sepse ne respektojmë frymën dhe karakterin qytetar”, u shpreh ai.
Qëndrimi vjen pas tensioneve të regjistruara gjatë protestave të fundjavës, ku u raportuan edhe përplasje mes pjesëmarrësve lidhur me praninë e përfaqësuesve politikë.
Dorëheqja? Berisha shmang përgjigjen e drejtpërdrejtë
Gjatë komunikimit me gazetarët, kryetari demokrat u pyet edhe nëse do të jepte dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike.
Ai nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por mbrojti pozicionin e tij dhe deklaroi se drejtuesin e partisë e zgjedhin anëtarët e saj.
“Berisha është tmerri dhe ferri i narko-zyrtarëve dhe i bandave të tyre. Ndihem krenar”, deklaroi ai, duke përdorur gjuhë të ashpër ndaj kundërshtarëve politikë.
Berisha shtoi se demokratët kishin dëshmuar se kryetarin e tyre e zgjedhin vetë.
Deklaratat e fundit të kreut demokrat e rikthejnë në qendër të debatit politik një pyetje: sa është roli i organizatave studentore dhe sa ai i strukturave partiake në bojkotin dhe protestat që kanë përfshirë vendin?
Përgjigjja e Berishës konfirmon përfshirjen aktive të Forumit Rinor të PD-së, ndërsa ai vazhdon të mbrojë karakterin qytetar të protestave.






