Në orët e para të së premtes, pas një seance maratonë në Kuvend, kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim të gjatë për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke e zhvendosur debatin te raporti mes pushtetit ligjvënës dhe Gjykatës Kushtetuese.

Rama argumentoi se Gjykata Kushtetuese ka të drejtë të rrëzojë një normë që e konsideron antikushtetuese, por, sipas tij, nuk mund t’i përcaktojë Kuvendit formulën konkrete që duhet të votojë.

Për ta shpjeguar qëndrimin e tij, kryeministri përdori një krahasim futbollistik.

“Gjykata Kushtetuese është arbitri. Ajo mund të konstatojë shkeljen, mund të anulojë golin, por nuk mund ta marrë topin dhe të thotë: ‘Topi është i imi, penalltinë do ta gjuaj unë’”, tha Rama.

Sipas tij, Kushtetuesja mund të konstatojë se Kuvendi ka shkelur një normë, por zgjedhja e formulës së re, e nivelit të pagave dhe e mënyrës së financimit i përket ligjvënësit.

Rama solli si shembuj taksat, pensionet dhe dispozitat penale, duke argumentuar se Gjykata mund të rrëzojë një normë, por jo të hartojë vetë sistemin që duhet ta zëvendësojë atë.

Kryeministri mbrojti gjithashtu vendimin e marrë gjatë reformës në drejtësi për rritjen e fortë të pagave të magjistratëve, por tha se kjo kishte prishur piramidën tradicionale të pagave në shtet.

Sipas tij, problemi lind nëse çdo rritje page në pjesën tjetër të administratës duhet të shoqërohet automatikisht edhe me një rritje tjetër për gjyqtarët dhe prokurorët.

Rama paralajmëroi se qeveria po punon për një ligj të ri që synon të rregullojë në mënyrë përfundimtare këtë raport. Ai tha se kanë nisur edhe konsultime me strukturat e Këshillit të Europës.

Fjalimi nuk kaloi pa batuta politike. Duke iu drejtuar Jorida Tabakut, Rama ironizoi protestat e opozitës:

“Të jesh në qeveri dhe të protestojnë kundër teje quhet demokraci. Të jesh në opozitë dhe të të përzënë nga protesta quhet ‘amanet mushkat, se kuajt ikën’”.

Pas debatit që zgjati deri pas mesnatës, projektligji i PS për pagat e magjistratëve u miratua me 84 vota pro. Formula e votuar parashikon rritje të pagës referuese në masën 2% të pagës së Presidentit të Republikës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu