Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për situatën ekonomike të pensionistëve, duke akuzuar qeverinë e Edi Ramës për mashtrim dhe mungesë mbështetjeje.

Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se skema e bonuseve për pensionistët, e përdorur sipas tij gjatë fushatës zgjedhore, nuk është zbatuar.

Sipas tij, megjithëse është parashikuar një fond prej 240 milionë eurosh, pensionistët nuk kanë përfituar ende nga ky fond.

Ai theksoi gjithashtu se një pjesë e madhe e pensionistëve përjashtohen nga skema ose përfitojnë shumë pak.

“Skema e bonusit është mashtrim pasi mbi 45% e pensionistëve nuk marrin asgjë ose përfitojnë shuma minimale”, deklaroi Berisha.

Lideri i opozitës ngriti shqetësimin edhe për rritjen e çmimeve, duke theksuar se kostoja e jetesës, veçanërisht për ushqimet bazë dhe ilaçet, është rritur ndjeshëm.

Sipas tij, kjo situatë po rëndon veçanërisht mbi pensionistët, të cilët përbëjnë një nga shtresat më të ndjeshme të shoqërisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu