
Harta e re territoriale ka sjellë kundërshtime edhe brenda grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Deputetët Erion Braçe dhe Vullnet Sina mësohet se kanë dalë kundër variantit që parashikon reduktimin me 46 të numrit të bashkive.
Qëndrimet janë shprehur gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist të zhvilluar këtë të hënë, ndërsa jashtë Kryesisë së Kuvendit po protestohej kundër ndryshimeve të propozuara në hartën territoriale.
Sipas raportimeve nga mbledhja, Braçe dhe Sina kanë kundërshtuar hapur hartën e re, e cila pritet të kalojë për miratim në Kuvend më 8 tetor dhe deri tani nuk ka marrë dakordësinë e opozitës.
Argumenti kryesor i dy deputetëve socialistë lidhet me efektin që reduktimi i numrit të bashkive mund të ketë te qytetarët.
Sipas tyre, zvogëlimi i numrit të njësive vendore rrezikon të ulë efikasitetin e bashkive në ofrimin e shërbimeve, duke krijuar distancë më të madhe mes administratës vendore dhe qytetarëve.
Kundërshtimet marrin peshë edhe pas qëndrimit të kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili deklaroi se vendimi politik i grupit është që të gjithë deputetët socialistë të jenë të pranishëm në seancë dhe të votojnë pro projektligjit.
I pyetur për mundësinë që deputetë të PS-së të dalin kundër vendimit të grupit, Balla ishte përgjigjur: “Lexoni rregulloren e grupit parlamentar.”
Tashmë vëmendja zhvendoset te votimi i 8 tetorit dhe nëse kundërshtimet e shprehura nga Braçe dhe Sina brenda mbledhjes do të reflektohen edhe në votën e tyre në Kuvend.






