
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka shpallur zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke njoftuar se qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit më 29 nëntor. Zgjedhjet e rregullta ishin parashikuar të zhvilloheshin vetëm në verën e vitit 2027.
Vendimi vjen pas një goditjeje të fortë për qeverinë e pakicës së Sánchez në parlament, ku të premten u rrëzua paketa e masave emergjente për përballimin e krizës së banesave.
Paketa parashikonte pezullimin e dëbimeve nga banesat për qiramarrësit vulnerabël deri në vitin 2030, zgjatjen me dy vjet të kontratave të qirasë që përfundonin para vitit 2028, rritjen e taksave për apartamentet turistike, kufizime për blerjet e banesave nga fondet e mëdha të investimeve dhe rinovimin automatik të kontratave të qirasë.
Kriza politike u përshkallëzua pas protestave masive për çmimet e banesave dhe të drejtat e qiramarrësve. Shkëndija ishte rasti i një 87-vjeçareje në Madrid, e cila u dëbua nga banesa pasi qiraja e saj u rrit nga 500 në 2.650 euro. Më pas qiraja u ul në 1.650 euro, por kjo shumë mbetej rreth 300 euro më e lartë se pensioni i saj mujor.
Në fjalimin ku shpalli zgjedhjet, Sánchez pranoi se qeveria ka nevojë të “rinovojë dhe zgjerojë” mbështetjen e qytetarëve. Ai kërkoi një shumicë progresiste më të gjerë në parlament, që sipas tij të mund të kapërcejë rezistencën ndaj reformave.
Zgjedhjet e parakohshme e vendosin kryeministrin përballë një beteje të vështirë për të qëndruar në pushtet. Sánchez drejton Spanjën që prej vitit 2018, por qeveria e tij ka qenë e varur nga mbështetja e partive më të vogla të majta dhe forcave nacionaliste katalanase e baske.
Sondazhet e deritanishme e nxjerrin Partinë Popullore konservatore si forcën që ka gjasa të dalë e para. Megjithatë, ajo mund të ketë nevojë për mbështetjen e Vox-it për të krijuar shumicën qeverisëse.
Kreu i Partisë Popullore, Alberto Núñez Feijóo, e përshëndeti menjëherë shpalljen e zgjedhjeve. “Më në fund, shumica do të flasë përsëri. Më në fund, spanjollët do të vendosin”, deklaroi ai.
Për Sánchez, 29 nëntori do të jetë jo vetëm një përballje mes së majtës dhe së djathtës, por edhe një referendum politik mbi qeverisjen e tij tetëvjeçare, në një moment kur kriza e banesave dhe kostoja e jetesës janë kthyer në çështje qendrore të debatit në Spanjë.




