
ryetari i Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian dhe Bashkëkryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, Taulant Balla, priti sot në Kuvendin e Shqipërisë përfaqësues të parlamenteve të Ukrainës, Moldavisë dhe Armenisë, në kuadër të një vizite studimore me temë “Procesi ligjvënës i bazuar në prova”.
Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi rëndësinë historike të procesit të negociatave dhe rolin vendimtar të Kuvendit në rrugëtimin evropian të Shqipërisë.
Ai theksoi se procesi i integrimit ka një peshë historike dhe se Parlamenti luan një rol thelbësor në çdo fazë të tij.
Sipas tij, çdo hap i negociatave kalon në mënyrë të detyrueshme përmes Kuvendit, nga pozicionet negociuese deri te mbyllja e kapitujve.
“I gjithë procesi negociues kalon përmes Parlamentit. Çdo pozicion negociues duhet të miratohet nga Kuvendi dhe po ashtu edhe mbyllja e kapitujve,” – theksoi ai.
Balla u ndal edhe te ndryshimet institucionale të ndërmarra së fundmi, duke vënë në dukje forcimin e rolit të Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian dhe bashkimin e komisioneve parlamentare.
“Me ndryshimet që kemi bërë, kemi forcuar Këshillin dhe kemi siguruar që opozita të jetë pjesë e drejtimit të tij. Po ashtu, kemi bashkuar Komisionin për Çështjet Evropiane me atë të Politikës së Jashtme,” – deklaroi Balla.
Ai nënvizoi se për Shqipërinë, politika e jashtme dhe integrimi evropian janë të pandashme.
“Për ne, politika e jashtme e Shqipërisë është e fokusuar tërësisht në integrimin evropian,” – tha ai, duke shtuar se vendi ynë synon të luajë një rol aktiv edhe në arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare.
Balla riafirmoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një zgjedhje strategjike e pakthyeshme, e mbështetur nga një konsensus i gjerë politik dhe shoqëror, me mbi 90 për qind të qytetarëve shqiptarë që e mbështesin këtë proces.
Në përmbyllje, Taulant Balla riafirmoi objektivin e qartë të Kuvendit të Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027.
“Në cilësinë time si Kryetar i Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, Bashkëkryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit dhe drejtues i shumicës parlamentare, dëshiroj të riafirmoj angazhimin e fortë të Kuvendit të Shqipërisë për përmbushjen e të gjitha detyrimeve që burojnë nga procesi i negociatave. Objektivi ynë i qartë është përfundimi i këtij procesi deri në vitin 2027.
Ne jemi plotësisht të vendosur të ruajmë ritmin e reformave gjatë gjithë kësaj periudhe, duke siguruar miratimin në kohë të legjislacionit të përafruar me BE-në dhe duke ushtruar mbikëqyrje e monitorim parlamentar me përgjegjësi dhe qëndrueshmëri.”






