Kryeministri Edi Rama ka akuzuar grupe të ekstremizmit politik dhe forca të tjera se po shfrytëzojnë protestat e studentëve dhe gjimnazistëve për të nxitur dhunën, destabilizuar Shqipërinë dhe penguar procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Gjatë një takimi me drejtuesit e gjimnazeve të Tiranës në Ministrinë e Arsimit, Rama deklaroi se protestat po paraqiten si një lëvizje për arsimin, ndërsa sipas tij, pas akteve të dhunshme qëndrojnë grupe që nuk përfaqësojnë shumicën e nxënësve dhe studentëve.

Kryeministri pranoi se mes personave që janë përplasur me policinë ka edhe studentë, por pretendoi se një pjesë e tyre u përkasin rrymave të ekstremizmit politik.

“Në atë grup që agreson policinë, që mban nën një presion terrori qytetin, ka edhe studentë, të cilët janë të ekstremizuar në pikëpamjet e tyre, studentë që i përkasin rrymave të reja të ekstremizmit politik, po problemi nuk janë dhe nuk do jenë as studentët dhe as qytetarët që protestojnë”, deklaroi Rama.

Në një moment të fjalës së tij, kryeministri mbajti në dorë një gur për të ilustruar dallimin mes protestës paqësore dhe dhunës ndaj institucioneve apo forcave të rendit.

“Ky gur është objekti që ndan qartësisht dy anët e kësaj historie. Ky gur është objekti që përcakton se ku mbaron e drejta e protestës dhe ku fillon e drejta e shtetit për të marrë në mbrojtje qytetarët e vet”, u shpreh ai.

Rama theksoi se e drejta për të protestuar është një liri kushtetuese që nuk mund t’i mohohet askujt, por sipas tij, kjo e drejtë nuk mund të përdoret për të justifikuar aktet e dhunës.

Kreu i qeverisë e lidhi situatën në Shqipëri edhe me trazirat që kanë përfshirë qytete të tjera evropiane, duke pretenduar se pas tyre veprojnë rryma të ngjashme ekstremiste.

“Janë faktikisht kontingjent i këtyre forcave që tani kanë penetruar Evropën dhe po shfaqen me zjarr e me hekur në shumë qytete e kryeqytete të Evropës”, deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit, situata në Shqipëri është më e ndërlikuar, pasi ai pretendon se forca të ndryshme po përpiqen të shfrytëzojnë protestat për qëllime që shkojnë përtej kërkesave të studentëve.

“Duart që janë futur këtu për të shfrytëzuar janë duar që së bashku kërkojnë të shfrytëzojnë një moment, një boshllëk, një hapësirë për të frenuar ecurinë e vendit tonë, për të destabilizuar vendin tonë që ka qenë stabilizues i Ballkanit Perëndimor dhe për ta frenuar procesin e negociatave me BE”, u shpreh ai.

Kryeministri nuk identifikoi në deklaratat e cituara se cilat janë forcat që, sipas tij, synojnë destabilizimin e vendit dhe nuk paraqiti prova konkrete për një koordinim të tyre me grupet e përfshira në trazira.

Deklaratat vijnë pas disa ditësh protestash në Tiranë dhe qytete të tjera, të shoqëruara me përplasje mes demonstruesve dhe policisë, dëmtime të institucioneve dhe ndërhyrje të forcave të rendit.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu