
Ministria e Arsimit ka ngritur një ekip psikologësh për t’u ofruar mbështetje fëmijëve dhe familjeve të prekura nga protestat e dhunshme të ditëve të fundit. Njoftimi u bë nga ministrja Mirela Kumbaro gjatë një takimi me drejtuesit e gjimnazeve të Tiranës, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.
Kumbaro theksoi se mbështetja psikologjike është veçanërisht e rëndësishme për adoleshentët që janë përballur me skena dhune apo janë përfshirë në ngjarjet e fundit, përfshirë edhe ata që janë shoqëruar në polici.
“Kemi ngritur një ekip psikologësh të cilët do të jenë në dispozicion të familjeve, prindërve dhe fëmijëve të familjeve që në një mënyrë apo në një tjetër janë përfshirë në protestat e dhunshme, mund të jenë adoleshentë të shoqëruar në polici apo pjesë e një skenari aspak të zakontë për moshën e tyre. Është detyra jonë t’u ofrojmë gjithë këshillimin psikologjik për të mos lejuar që këto trauma të jenë pjesë e historikut të jetës së tyre”, deklaroi ministrja.
Gjatë takimit në Ministrinë e Arsimit, Kumbaro falënderoi drejtuesit e shkollave për komunikimin me prindërit dhe përpjekjet për të garantuar vijimin e procesit mësimor.
Ajo bëri të ditur se pjesëmarrja e nxënësve në gjimnaze është rritur krahasuar me të premten, kur mungesat ishin më të shumta për shkak të frikës dhe shqetësimit të prindërve.
“Në gjimnaze, ku hapësira për të abuzuar dhe keqpërdorur adoleshentët ka qenë më e madhe, kemi pasur një pjesëmarrje shumë më të lartë krahasuar me ditën e premte, ku niveli i mungesave ka qenë më i shtuar për shkak të frikës dhe panikut të prindërve për t’i sjellë fëmijët në shkolla në një situatë aspak normale”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja garantoi se procesi mësimor do të plotësohet i gjithi, pavarësisht situatës së krijuar nga protestat.
Ajo vlerësoi gjithashtu komunikimin e forcuar mes drejtuesve të shkollave dhe oficerëve të sigurisë gjatë ditëve të fundit, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së nxënësve dhe ruajtjes së një mjedisi të sigurt shkollor.






