
Vetëm një orë pasi kryeministri Edi Rama vendosi karrige me mbishkrimin “Dialog” përpara Kryeministrisë, protestuesit i kanë hequr ato. Karriget ishin vendosur si simbol i ftesës së kreut të qeverisë për dialog pa kushte, në çdo kohë dhe në çdo vend.
Kryeministri Edi Rama kishte publikuar në Facebook një video me karriget e vendosura përpara godinës së qeverisë, të shoqëruar me mesazhin “Dialog pa kushte, kudo dhe kurdo!”.
“Kush do dialog, ku të dojë, kur të dojë, edhe këtu po të dojë, unë jam në dispozicion së bashku me qeverinë”, deklaroi Rama.
Por rreth një orë pas vendosjes së tyre, protestuesit i hoqën karriget nga hapësira përpara Kryeministrisë.
Ngjarja ndodh në një kohë kur protestat kundër qeverisë vijojnë prej disa ditësh, ndërsa kryeministri ka përsëritur ftesën për dialog me protestuesit.






