
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë thirrje për dialog me studentët, duke theksuar se qeveria dhe Kryeministri kanë ofruar tryezën e bisedimeve për të diskutuar kërkesat e tyre.
Balla u shpreh se studentët meritojnë të dëgjohen dhe se tashmë është momenti për një Pakt të ri për Universitetin. Ai solli në vëmendje edhe investimet për përmirësimin e kushteve në konvikte, duke bërë të ditur se ditën e enjte në Kuvend do të votohet një marrëveshje me Republikën Federale Gjermane dhe KfW-në për më shumë investime në këtë drejtim.
Gjatë komunikimit të tij, Balla u ndal edhe te dhuna gjatë protestave në Tiranë, duke dënuar sulmet ndaj Policisë së Shtetit dhe dëmtimin e institucioneve e bizneseve.
“Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dënon dhunën”, deklaroi Balla, duke theksuar se goditja ndaj punonjësve të policisë përbën vepër penale.
Ai krahasoi situatën në Shqipëri me protestat në vende të tjera të Europës dhe të botës, duke pretenduar se në Shqipëri pjesa më e madhe e personave të lënduar që janë paraqitur në spital janë punonjës policie.
Balla u ndal edhe te pjesëmarrja e të miturve në protesta, duke e cilësuar përgjegjësi të prindërve që fëmijët të mos përfshihen në akte dhune apo të përdoren për qëllime politike.
Sa i përket situatës në arsim, ai theksoi se lajmi i mirë është vijimi i mësimit në të gjitha shkollat.
Në përfundim, Balla e cilësoi sulmin ndaj institucioneve si një ngjarje të rëndë, duke theksuar se godina e sulmuar nuk ishte përballur me një situatë të tillë as në vitet 1997 dhe 1998.






