
Një aksident i rëndë me mjete lundruese është regjistruar këtë të mërkurë në Liqenin e Komanit, ku dy skafe janë përplasur me njëri-tjetrin, duke lënë disa persona të plagosur.
Sipas informacioneve paraprake, të lënduarit po transportohen drejt Spitalit të Shkodrës për të marrë ndihmë mjekësore. Operacioni është vështirësuar për shkak të distancës dhe terrenit të zonës.
Në ndihmë të të plagosurve kanë shkuar edhe banorë të zonës dhe persona të tjerë me varka, të cilët po ndihmojnë në nxjerrjen dhe transportimin e tyre drejt pikave nga ku mund të dërgohen në spital.
Fatmirësisht, nga të dhënat e deritanishme, gjendja shëndetësore e personave të lënduar raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit është bërë shpejtësia e madhe e mjeteve lundruese. Përplasja mësohet se ka ndodhur në një kthesë ku fushëpamja është e kufizuar.
Njoftimi zyrtar i policisë:
Rreth orës 15:15, në liqenin e Komanit, dyshohet se aksidentalisht janë përplasur 2 mjete lundruese.
Si pasojë e përplasjes, janë dëmtuar 5 shtetas, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shtetasit e tjerë që ndodheshin në mjetet lundruese nuk kanë pësuar dëmtime.
Shtetasit që ndodheshin në mjetet lundruese janë nxjerrë në kalatën e Komanit, me ndihmën e mjeteve të tjera lundruese.
Grupi hetimor po kryen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.






